91 mln lekë për sistemin e adresave

ndertesa

Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur procedurat për tenderin për regjistrimin e adresave në Shqipëri. Kjo ministri do të ndërtojë një faqe komunikimi mes Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe Regjistrit Kombëtar të Adresave, e cila do të kushtojë 91 milionë lekë.

Sistemi i ri elektronik i adresave do të përfshijë qytetarët në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në vende të tjera. Rreth 1200 persona që do shpërndahen në gjithë vendin për të ndërtuar regjistrin e ri.

Po ashtu në vitet 2006-2010 janë akorduar 57 milion dollarë fonde nga institucionet BE-OSBE-BB dhe 6.5 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, për të ndërtuar dhe futur në funksionim sistemin e adresave në Tiranë e në rrethe, por sistemi nuk është plotësuar ende. Në Shqipëri, adresat nuk gjenden lehtë. Në këtë katrahurë adresash, ku nuk dihet nga të shkosh për të arritur në destinacion, përveç se nuk ka adresa, në 70 për qind të qendrave të banimit e shërbimit nuk ka as zyra adresash, për të marrë ndihmën e duhur.

Problemet në sistem

Regjistri Kombëtar i Gjëndjes Civile funksionon siç duhet në nivel qëndror dhe lokal. Ajo që mungon në situatën aktuale, është që ky regjistër duhet të aksesojë të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Adresave dhe gjithashtu mungon një platformë që të realizojë shkëmbimin e vazhdueshëm të të dhënave ndërmjet këtyre dy regjistrave. Një shkëmbim i tillë i të dhënave do të mundësonte Zyrat e Gjëndjes Civile që të bënin regjistrimin e banoreve në adresën korrekte dhe zyrtare. Gjithashtu, Regjistri Kombëtar i Adresave funksionon siç duhet në nivel qëndror dhe është në proces të shtrirjes së tij në nivel lokal. Sikurse u përmend edhe në paragrafin e mësipërm, mungon shkëmbimi i të dhënave ndërmjet RKA dhe RKGJC.

Pin It