Nishani dekreton kthimin e ligjit, cënon sigurinë dhe privatësinë

Geramny Albania

Presidenti Nishani dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për Masat Shtesë Të Sigurisë Publike” me argumentin se përmes vendosjes së kamerave të sigurisë të cilat përfshijnë sheshe të hapura, parqe, kënde lojërash, mjedise të hapura apo të mbyllura publike etj..ndërhyet në të drejtën për jetë private dhe familjare përmes masave të parashikuara në nenin 8 të Ligjit dhe kjo nuk është e justifikueshme, e domosdoshme dhe proporcionale.

Gjykata Evropiane ka arritur në përfundimin se Shtetet kanë një marzh vlerësimi në lidhje me respektin që duhet treguar për mbrojtjen e të dhënave personale, por gjithmonë duke patur në konsideratë një balancë të drejtë mes interesit të përgjithshëm të komunitetit dhe interesave të individëve.

Në rastin konkret, referuar dokumenteve parlamentare nuk del e qartë se përse masat e deritanishme  nuk kanë sjellë rezultate dhe përse pikërisht përdorimi i masave shtesë të sigurisë do të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë publike, zhdukjen e paligjshmërisë dhe informalitetit. Në praktikën ndërkombëtare, përdorimi i kamerave të sigurisë CCTV është konsideruar si një mënyrë e padëshiruar, por e gjetur si e fundit për të arritur qëllime të caktuara.

Ligji në fjalë mbasi detyron bizneset, administratorët e pallateve, shkollat private dhe publike, apo të gjitha institucionet publike të instalojnë kamera dhe të ruajnë përmbajtjen e tyre, nuk jep asnjë garanci se si do të ruhen të dhënat personale të individëve të siguruara nga këto kamera.

Ligji nuk përmban asnjë dispozitë që të garantojë të dhënat e përftuara nga vendosja e mjeteve të regjistrimit-përgjimit. Kështu që, mundësia e keqpërdorimit të pamjeve filmike dhe të dhënave personale, shfrytëzimit për qëllime që nuk kanë lidhje me sigurinë, apo mundësia e keqpërdorimit të tyre nga ana e strukturave policore si mjet kërcënimi, diskreditimi publik apo për shantazh është evidente. Pra, ligji i miratuar nuk jep asnjë garanci lidhur me ruajtjen e privatësisë së qytetarëve.

 

Pin It