Një mision fisnik!

Ai është njeriu më i mrekullueshëm që ka shkelur në këtë tokë. Predikoi një fe, themeloi një shtet, ndërtoi një komb, paraqiti një kod, ndërmori një sërë reformash sociale e politike, themeloi një shoqëri të fortë e dinamike, që do të praktikonte e përfaqësonte mësimet e tij dhe bëri një kthesë rrënjësore të botës së mendimit dhe veprimit njerëzor për të gjitha kohërat.

Historia njerëzore nuk ka njohur ndonjëherë një transformim kaq të plotë të një kombi. Në të vërtetë, asnjë qenie tjetër njerëzore nuk ka pasur të tilla arritje në fusha të ndryshme në një kohë kaq të shkurtër. Profeti Muhamedi (s.a.s) ishte një mësues fetar, reformator social, udhëheqës moral, politikan, strateg, shok besnik, bashkëshort i devotshëm, baba i dashur – të gjitha këto në një person të vetëm.

Lindi në Arabi në vitin 571 të e.s. dhe kur ndërroi jetë, në moshën 63 vjeçare, i gjithë Gadishulli Arabik ndryshoi nga paganizmi dhe adhurimi i idhujve në adhurimin e një Zoti të Vetëm, nga grindjet dhe luftërat fisnore në bashkim dhe solidaritet, nga dehja dhe shthurja në vetëpërmbajtje dhe devocion, nga shkelja e ligjit dhe anarkia në jetesë të disiplinuar, nga degradimi i plotë moral në nivelet më të larta të përsosmërisë morale.

Profeti  (s.a.s) kishte një mision fisnik e madhështor – të bashkonte njerëzimin në adhurimin e një Zoti të Vetëm dhe t’u mësonte mënyrën e drejtë dhe të ndershme të të jetuarit në përputhje me ligjet dhe urdhrat e Tij. Ai gjithmonë e përshkruante veten si profet dhe shërbyes të Zotit dhe në fakt, çdo fjalë, vepër dhe aspekt i jetës së tij e vërtetonte këtë…

Pin It