Njihni e përdorni menten, bimën e freskët e të shëndetshme

 

download-8

Jo vetem e freskët, por edhe e dobishme. Menta është një bimë që njihet që nga antikiteti për të mirat e shumanshme që i ofron shëndetit tonë. I përket familjes labiate, të llojit menta dhe është në forma të ndryshme. Ajo përmban ujë, fibra, proteina, shumë minerale (kalcium, kalium, magnez, fosfor, natrium), vitamina (të grupit A, B, C e D) dhe aminoacide. Ndër të tjera, nga esenca e vajit të mentës përftohet mentoli, një lloj alkooli që i duhet pjesës më të madhe të produkteve farmaceutike. Në doza të larta ai është analgjezik (ul dhembjen ) dhe qetësues. Ai mund të përdoret për shqetësime të lëkurës, etheve, dhembjen koke dhe migrenë. Si antibakterial ndihmon për të luftuar infeksionet. Në qoftë se avujt e tij thithen ndihmon në lirimin e rrugëve të frymëmarrjes. Pjesët që përdoren: Kërcelli bashkë me gjethet relakson muskujt e traktit të tretjes dhe nxit rrjedhjen e lëngut të tëmthit, pra janë të dobishme për probleme me tretjen, formimin e gazrave, dhimbjen e barkut etj. Pjesët sipërfaqësore të mentes ulin nausenë (ndjesinë për të vjellë) dhe për këtë mund të jenë të rëndësishme në rastet e udhëtimeve me makinë për personat që i zë makina gjatë udhëtimit. Ato nxisin dhe djersitjen duke ulur temperaturën në grip dhe rrufë. Në familjen e bimës së mentes ka mbi 30 lloje të ndryshme, pothuajse të gjitha kanë të njëjtat veti mjekësore dhe përdoren po njëlloj si të tjerët. Por më e zakonshmja është “mentja piperita”.

Pin It