Këshillimi është mision dhe atribut i pejgamberëve, te cilët ishin dërguar t’i ftonin njerëzit në adhurimin e sinqertë për Allahun. Hz. Nuh (a.s), i flet popullit te vet duke ua sqaruar synimet e dërgimit te tij: “Unë ua kumtoj juve shpalljet e Zotit tim, ju këshilloj”. (A’raf, 62)
Hz. Salih(a.s) gjithashtu i është drejtuar popullit të vet: “O populli im, unë ju komunikova dërgesën e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillni këshilluesit”. (A’raf, 79)
Profeti ynë i nderuar, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin me të ka thënë: ” Feja është këshillë!” [Muslimi]
Madje për të treguar rëndësinë e kësaj çështje, Ai(s.a.s) e ka theksuar tre herë këtë gjë. Dhe herë pas here është këshilluar me gratë e tij për çështje të ndryshme.
Edhe sahabet, shokët e Profetit tonë të nderuar, punët e tyre i kanë kryer duke u këshilluar me njëri tjetrin. Nga Historia Islame, Kalifët që kanë ardhur në krye të shtetit Islam pas largimit nga kjo botë e Profetit Muhamed(s.a.s) janë zgjedhur duke u këshilluar midis tyre.
Nëse dy mendje janë më të dobishme se një mendje, qindra mendje janë me të tepërt më të dobishme se një mendje, pra këshillim do të thotë, të bëhen bashkë shumë mendje. Në lidhje me këshillillën thotë një dijetar: “Nuk ka shtet më të pasur dhe ushtri të fortë sa këshillimi!”
Këshillohuni me njëri-tjetrin për punët tuaja, sepse në këtë mënyrë ndiqni shembullin e profetëve dhe arrini përfundim të kënaqshëm!