Pasqyra e Bujarisë, Hz. Hatixhe (r.anha)

Një pasqyrë e besueshmërisë, integritetit, të vërtetës, modestisë, sjelljes së mirë dhe fisnikërisë. Bujare, e mençur dhe e mirëkuptueshme, rritur në një ambient të pasur e luksoz. Ishte personi i parë, që besoi palëkundshëm në fjalët e Profetit (a.s) dhe e para që e pranoi Islamin si fenë e saj dhe mënyrën më të mirë të jetesës. U përgëzua dhe u dallua me përshëndetje nga vetë Allahu i Lartësuar dhe engjëlli Xhibril. Ishte gruaja e parë, që u nderua kaq shumë. Ishte gruaja e parë e Profetit (a.s) dhe ai nuk pati grua tjetër përkrah tij gjatë asaj kohe. Jetuan së bashku në paqe dhe harmoni për më shumë se 24 vjet. Ishte pikërisht shtëpia e saj, vendi ku Profeti (a.s) pranoi shpalljet hyjnore nëpërmjet engjëllit Xhibril.

Abdullah ibn Abasi (r.a) tregon, se një ditë Profeti (a.s) vizatoi katër viza në tokë dhe i pyeti shokët e tij se çfarë nënkuptonin ato viza. Ata me respekt të madh iu përgjigjën, se ai e dinte më mirë. Më pas ai u tregoi se katër vizat paraqisnin gratë më të larta e të nderuara të Universit: Hatixhe bint Hauajlidin, Fatime bint Muhamedin, Merjem bint Imranin [nëna e profetit Isa (a.s)], dhe Asije bint Mazahimin (gruaja e Faraonit), (Zoti qoftë i kënaqur me të gjitha).

Hatixhja (r.a) lindi në Mekë në vitin 556. Nënën e saj e quanin Fatime bint Zaed dhe babain Hauejlid bin Asad. Ai ishte një prijës shumë i përmendur në fisin e kurejshëve dhe një tregtar shumë i suksesshëm, i cili vdiq në betejën e Fuxharit. Kësisoj, Hatixhja u rrit në mes të luksit. Hatixhja (r.a) gjithë vëmendjen ia kushtoi rritjes së fëmijëve dhe ngritjes të biznesit, që kishte trashëguar nga babai. Mprehtësia dhe aftësitë tregtare bënë që biznesi i saj të ishte nga më të suksesshmit ndër kurejshët. Prej kësaj lindi edhe njohja dhe martesa me Profetin tonë të nderuar (a.s).

Hatixhja ishte një grua dhe nënë ideale. Profeti (a.s) jetoi në shtëpinë e saj, e cila u begatua në sajë të pranisë profetike dhe nga fakti që engjëlli Xhibril (a.s) vinte shpesh aty për ta vizituar dhe për të sjellë Shpalljet Kuranore. Ajo u bë qendra e Islamit, që frekuentohej shpesh nga sahabë, gra dhe burra për të marrë pjesë në mikpritjen e Profetit (a.s) dhe gruas së tij.

Hatixhja (r.a) ndërroi jetë tre vjet pas hixhretit (migrimit) të Profetit (a.s) në Medine. Ndërroi jetë në moshën 65-vjeçare, duke lënë pas plot 25 vite përkushtimi ndaj Hz. Muhamed (a.s) dhe Islamit. Aishja (r.a) tregon, se sa herë që profeti (a.s) do të fliste për të, do ta përmendte shumë emrin e saj, do të vinte në pah cilësitë më të mira dhe do të lutej e do të kërkonte falje për të.

 

Pin It