Pasuria e shpirtit

Njerëzit në këtë botë mundohen që të kenë sa më shumë pasuri, të gëzojnë një pozitë të lartë në shoqëri, të kenë pushtet, të kenë e të kenë. Por a është e vërtetë që njeriu nëpërmjet pasurisë që posedon është i pasur?! Absolutisht që jo. Sa të pasur ka dhe sa të tjerë do të ketë të cilët nuk ndihen rehat me pasurinë që kanë. Dhe sa të varfër ka dhe do të ketë që megjithëse janë të varfër, ndihen të qetë. Sekreti i kësaj enigme qëndron në pasurinë e shpirtit, apo thënë ndryshe njeriu është i kënaqur me riskun e Allahut.

Ebu Hurjejra tregon: Njëherë Profeti (a.s.) tha: “Kush do t’i zbatojë fjalët (porositë) e mia, apo t’i mësojë që t’ua tregojë të tjerëve që t’i zbatojnë? Unë – o i Dërguari i Allahut – tha Ebu Hurjera. Profeti (a.s.) e kapi prej dore dhe i tha: Numëro pesë këshilla: Ruaju nga mëkatet që të jesh adhuruesi më i mirë ndër njerëz. Ji i kënaqur me atë që të ka caktuar Allahu që të jesh njeriu më i pasur. Sillu mirë me komshiun që të jesh besimtar. Atë që e do për vete duaje edhe për të tjerët që të jesh mysliman. Mos qesh shumë, sepse e qeshura e tepërt e vdes zemrën.” [Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe]

Pra, pasuria e shpirtit qëndron në atë që Allahu ka përcaktuar për njeriun. Ëmbëlsia dhe shija e kënaqësisë është më e ëmbël se çdo gjë. Të qenët i kënaqur e ruan myslimanin nga furtunat e ndryshme të jetës. Kënaqësia i ngjan një kopshti ku hijet e pemëve e ruajnë besimtarin nga çdo gjë e keqe.

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It