Përkujtohet 107-vjetori i lindjes së shkencëtares Sabiha Kasimati, ekzekutuar nga regjimi komunist

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka kujtuar 107-vjetorin e lindjes së shkencëtares Sabiha Kasimati, e ekzekutuar pa gjyq nga regjimi komunist.

“Sot bëhen 107 vjet nga lindja e Sabiha Kasimatit, shkencëtares së parë shqiptare, të ekzekutuar pa gjyq nga regjimi komunist natën e 26 shkurtit 1951, me 21 intelektualë të tjerë, me sajesën e bombës në Legatën Sovjetike”, shprehet AIDSSH.

Në tre vitet e funksionimit të tij, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i ka kushtuar vëmendje të veçantë ridimensionimit të figurës së Sabiha Kasimatit.

Në 105-vjetorin e lindjes, në vitin 2017, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës u zhvillua një takim i zgjeruar, me bashkëpunimin e Ambasadës Italiane dhe Bibliotekës Kombëtare, ku familjes Kasimati iu dorëzua teza e saj e diplomës, e mbrojtur në Itali. Po atë ditë u hodh ideja për vendosjen e emrit të saj Muzeut të Shkencave të Natyrës, si ideatore dhe themeluese.

Personaliteti shkencor dhe shoqëror i Kasimatit u trajtua në një vepër të plotë, ku u mblodhën punimet e atij takimi dhe u pasurua me të tjera, botim që shkon në ndihmë të të rinjve dhe të interesuarve për figurën e saj.

Në vitin 2018, Sabiha Kasimati u trajtua si një ndër akademiket e përndjekura nga Sigurimi në projektin “Roli i shkencës në Shqipëri në kontekstin historik në vitet 1944-1954” të AIDSSH, në bashkëpunim me Ambasadën Zvicerane, profili i plotë i së cilës mund të studiohet sot në faqen www.dosjet.gov.al të Autoritetit.

Në 2018, Universiteti i Tiranës miratoi vendosjen e emrit Sabiha Kasimati, Muzeut të Shkencave të Natyrës, mbështetur në propozimin e AIDSSH. Në bashkëpunim me PNUD Shqipëri dhe PERFORM, AIDSSH realizoi këndin e kujtesës për Sabiha Kasimatin në hyrje të Muzeut të Shkencave, një punë shumëdimensionale që informon të gjithë të interesuarit për jetën, veprimtarinë e saj shkencore dhe më gjerë. Po këtë vit, Autoriteti i propozoi Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Rinisë, përfshirjen e studimit të saj në tekstet shkollore.

Më 25 shkurt të 2019, Autoriteti i propozoi Presidentit të Republikës vlerësimin me tituj nderi të personave të përfshirë në gjetjen dhe zhvarrimin e eshtrave të të ekzekuturave pa gjyq natën e 26 shkurtit 1951, për t’u prehur më pas në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Më 26 shkurt, rruga që të çon në vendekzekutimin e tyre në Mënik mori emrin “26 shkurti”, me propozim të AIDSSH. Hapa të tjerë janë hedhur për kthimin në vendkujtese të asaj zonë.

Dosja e Sabiha Kasimatit është vënë në dispozicion të studiuesve, në pajtim me ligjin 45/1945.

“Pavarësisht nismave konkrete e të qëndrueshme për zbardhjen e ridimensionimin e një personaliteti të spikatur shkencor e shoqëror, të përbaltur në vitet e diktaturës, veprave të studiuesve të shumtë apo gazetarëve, të lidhura me figurën e saj, mbetet ende për t’u bërë që shoqëria t’i vendosë në vendin që u takon emra të tillë, përfshirë veprën e saj shkencore e ende të munguar “Peshqit e Shqipërisë”, apo që Muzeu të arrijë në lartësinë e vizionit të saj, që nga themelimi i tij”, shprehet AIDSSH.

ATA

Pin It