Përkujtohet 150- vjetori i lindjes së Ndre Mjedës, poeti i shumëkohëve

16-12-14-03-17-45big_img_8835

“A është përrallë, a është pikturë, a është tablo muzikore, a është poezi, a është dramë… ajo që mbetet janë vargjet të cilat dikur-dikur m’i recitonte ime më dhe kujtoj se në përfytyrimin tim nuk shihja dy çika por veç dy qershitë”. Këto fjalë zgjodhi ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro për të përshkruar magjinë që nxit fjala e gdhendur ëmbël e fortë në poezitë e Ndre Mjedës, në aktivitetin kremtues në 150-vjetorin e lindjes së poetit, teksa lexoi vargjet: Molla t’kputuna nji degët, dy qershia lidhë n’nji rrfanë, ku fillojnë kufijt’ e Gegët, rrijnë dy çika me nji nanë.

150- vjetori i lindjes së Ndre Mjedës u kujtua në Bibliotekën Kombëtare, me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi, të ftuarit të nderit akademikut Sabri Hamiti si dhe akademikë e studiues të shquar, pedagogë e studentë. Vepra poetike e Mjedjes shpalos ende për studiuesit dhe lexuesit e tij të shumtë mundësi e joshje sa estetike aq edhe shqyrtuese për t’u rilexuar, për t’u riintepretuar e për të na shndërruar në lexues të pasionuar të tij. Pikërisht një pasion të tillë, njëkohësisht prej lexuesi e studiuesi shembullor, e përmbledh edhe libri më i fundit i akademikut Sabri Hamiti, me titullin “Ndre Mjedja”, botuar në Prishtinë më 2016 si një udhëtim në leximet personale të poetit, ku, nga leximi më i hershëm e intim i “Vajit të bylbylit” më 1982 e deri te shqyrtimet më të fundit të Mjedjes si “liriku klasik” dhe “poeti ëndërrues” që përmbyllin librin më 2016-n, shpërfaqet mrekullia e leximit por edhe sfida e përhershme e rileximit dhe riinterpretimit.

Hamiti e cilësoi Mjedën si një poet lirik klasik, sepse tha ai, Mjeda nuk i përket as periudhës romantike para tij, e asaj pas. Prandaj Mjeda mbetet kaq i veçantë.

“Ky libër që kam bërë për Mjedën është leximi i një autori në një kalendar që ka mbi 35 vjet. Mjeda nuk është poet bashkëkohor, por një lirik klasik, e kjo është është dhe veçantia e tij, se nuk i përket as rrymës së poetëve para e as atyre pas tij. Mjeda është një poet i shumëkohëve. Ndaj kjo përkon me liriku klasik e në këtë 150 vjetor Mjeda do të jetë tani më i gjallë e i fortë për tu lexuar”, u shpreh akademiku i njohur Sabri Hamiti.

Për të sjellë shijen estetike të poezisë së Mjedjes, e ftuara e veçantë aktorja e mirënjohur Ema Ndoja, lexoi për të pranishmit disa nga poezitë tij.

Aktiviteti vijoi me Tryezën e rrumbullaktë: “Rilexime të Mjedjes” drejtuar nga Dhurata Shehri dhe me pjesëmarrjen e Persida Asllanit, Sabri Hamitit, Kolec Topallit, Shaban Sinanit, Kastriot Gjikës, Edlira Tonuzit, Gazmend Krasniqit, Lisandri Kolës, etj., të cilët prezantuan shqyrtimet dhe perspektivat më të reja studimore mbi veprën dhe personalitetin e Ndre Mjedjes, i cili gjithnjë e më shumë tërheq vëmendjen e studiuesve e lexuesve, jo vetëm si poeti i përsosmërisë, por edhe si gjuhëtari modern, si përkthyesi i hollë, si themeluesi i hagjiografisë shqipe, si atdhetari vetëflijues, si kleriku i përkushtuar dhe si mësuesi i pasionuar

Pin It