Përkujtohet Gustav Meyer, albanolog dhe filolog

Gustav Meyer ka lindur më 25 nëntor të vitit 1850 në Gros – Stechlitz të Austrisë. U rrit në Opeln dhe gjatë viteve 1860-1867 vijoi gjimnazin prej nga filloi të shfaqte interesimin e tij për gjuhësinë.

Më 1867 ka filluar studimin për filologji klasike. Më 1871 promovoi dizertacionin e doktoraturës me temë: “De nominibus graecis copositus”. Më pas punoi si mësues gjimnazi në Ernestinun të Gota-s. Gjatë kësaj kohe u përkushtohet edhe më tej studimeve filologjike. Në vitin 1874 shpërngulet në Pragë, ku në vitin 1875 si docent privat ka mbajtur ligjërata në Universitetin e Pragës.

Më 5 prill 1881 emërohet profesor i jashtëm dhe më 24 maj profesor zyrtar për sanskritishte dhe gjuhësi krahasimtare në Universitetin e Gracit. Ai më së shumti i ka kushtuar vëmendje greqishtes së vjetër dhe shqipes, sidomos etimologjisë dhe etnografisë.

Veprat e tij më të rëndësishme për gjuhën shqipe janë: Albanesische Studien I, (1882); Etimologische Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strassburg 1891; Kurzgefasste albanesische Grammatik, Leipzig, 1888; Zum indogermanischen ë – Perfectum auf die albanesische Formenlehre, botuar në “Miscellanea di filologia e linguistica in memoriam di Napoleone Caix e Angelo Canello, Firenze, 1886; Die lateinischen Elemente im Albanesischen, botuar në: Gröbers Grundriss, I, I. Auflage (1888) etj.

Më 1897 për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore e ka përfunduar punën e tij si ligjërues. Ndërroi jetë në vitin 1900.

Pin It