Përkujtohet ndarja nga jeta e Karl Gurakuqit, gjuhëtari shqiptar

karl_gurakuqi

Më 6 dhjetor  1971 u nda nga jeta Karl Gurakuqi, mësues, nëpunës dhe gjuhëtar shqiptar. Lindi në Shkodër me 24 Mars 1895. Mësimet fillore i bëri në shkollën Françeskane ku filloi edhe të mesmet, të cilat i mbaroi në Salzburg; kreu fakultetin e filozofisë në Gratz. Shërbeu vijimisht n’arsimin kombëtar që nga viti 1917. Djaloshi 22-vjeçar shërbeu në radhët e arsimit për 27 vjet rresht, më të shumtën si profesor gjuhësije ; që inspektor arsimi në Vlorë, Shef Seksioni në Ministrinë e Arsimit, drejtor liceu, anëtar i Komisionit Teknik, profesor i shqipes dhe i latinishtes n’Institutin femëror “Nana e Skandërbeu”, në Tiranë, etj. Ishte sekretar i “Komisis Letrare” (1914-1917) ; Inspektor arsimi në Vlorë (1921-1922). Mbas përfundimit të Luftës së dytë Botërore, Karl Gurakuqi u largua për në Itali. Këtu bashkëpunoi me revistën “Shêjzat” të Koliqit. Në 1944 shkoi për pushime në Austri, por nuk u kthye në Shqipëri me vendosjen e regjimit komunist. Më pas shkoi n’Itali (Palermo) ku shërbeu si profesor në Universitetin e Palermos; bashkëthemeloi Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare me R. Petrotten e G. Valentinin që e bëri Palermon qendrën më të rëndësishme albanologjike të kohës me konferencat e botimet. Ai vetë ishte i pakënaqur nga regjimi i ri dhe njëkohësisht i padëshirueshëm prej tij. Prej këtij viti jetën e mërgimtarit e derisa vdiq e kaloi në Austri dhe në Itali. Megjithëse jetoi 27 vjet larg atdheut, Karl Gurakuqi nuk mori nënshtetësinë e asnjë shteti të huaj. Më 1957 emërohet këshilltar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” drejtuar nga Rexhep Krasniqi, bashkë me Mehdi Frashërin dhe Ali Këlcyrën. Kohët e fundit i kaloi pranë të birit, Gilbert në Bressanone (Bolzano), vdiq në Palermo më 6 dhjetor 1971.

Kaloi vitet e para jashtë atdheut. Për 4-5 vjet që qëndroi aty, Gurakuqi do t’i kushtohet, kryesisht leksikografisë. Këtu bashkëpunoi me studiuesin Ndue Paluca. Në Austri mori pjesë në hartimin e skedarit të madh të fjalorit të shqipes me shpjegime në gjermanisht për Akademinë e Shkencave të Austrisë. Për pasionin që Karli kishte për të gjurmuar fjalën shqipe, Ernest Koliqi shkruan :

Dashunia e Karlit për gjuhën shqipe qe dhe asht e zjarrtë sa m’u quejt pasion. Qysh në moshën më të re nisi me mbledhë fjalë e skaje. Sa ndëgjonte udhës, në pazar, në ndonji dyqan, në kafe ndokend tue përdorë ndonji thanie të rrallë, ndonji synonim të panjoftun nxirrte laps e tefter dhe i shënonte. Kështu erdhi tue grumbullue làndën e fjalorit të shqipes, rreth të cilit shkrini mund në të tànë jetën e vet.
Karl Gurakuqi ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm dhe produktiv të revistës “Shejzat”, një e përkohshme kulturore, shoqërore që qarkulloi jashtë atdheut, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e, që vazhdoi pa ndërprerje nga viti 1958 deri në vitin 1974. Pati edhe një numër përkujtimor në vitin 1978. Ishte anëtar i këshillit drejtues të kësaj reviste që botohej në Romë. Gurakuqi botoi në këtë organ rreth 100 shkrime. Ato me karakter gjuhësor, për mendimin tim, kanë qenë më me vlerë. Aty ai mbajti rubrikat “Hulumtime gjuhësore dhe botimet albanologjike”. Së pari autori ka trajtuar probleme me karakter leksikologjik dhe leksikografik. Kështu në shkrimet që kishin lidhje me sinoniminë e fjalëve dhe me kuptimin e tyre e që nuk janë pak, Gurakuqi jo vetëm konstaton, por jep edhe zgjidhje, sipas mendimit të tij. Tek “Shêjzat”, ai nuk ka lënë pa kujtuar ata dijetarë shqiptarë dhe të huaj që kanë dhënë një ndihmesë për zhvillimin e kulturës shqiptare, si dhe ngjarjet dhe botimet më me vlerë të kohës dhe të retrospektivës.

 

Pin It