Placido Domingo dhe Ermonela Jaho interpretojnë “Thais” në Spanjë

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho dhe tenori Placido Domingo janë duke bërë provat e fundit për shfaqjen operistike “Thais”, që do të shfaqet në Madrid të Spanjës.

Kjo shfaqje operistike do të prezantohet në skenën e “Teatro Real” të Madridit më 26 korrik dhe pritjet për këtë bashkëpunim janë mjaft të mëdha. Bashkëpunimi i sopranos shqiptare Ermonela Jaho me Domingon është interesant për dimensionet e tyre artistike dhe pritshmërinë e dëgjuesve.

Premiera në skenën e Madridit në Spanjë vjen pas suksesit që patën Domingo dhe Jaho një vit ë parë në Kinë, ku ata nga datat 2 deri më 6 shkurt të këtij viti çelën sezonin operistik në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin.

Placido Domingo ka shkëlqyer në rolin kryesor të Athanael-it dhe Ermonela Jaho në atë të Thais-it. Domingo dhe Jaho pritet t’i sjellin publikut spanjoll këtë herë një realizim të bukur, që të çon pas në kohë në Aleksandrinë e shekullit të 4-të, ku murgu i devotshëm Athanael përpiqet për konvertuar kurtizanen Thais në të krishterë, ndërsa dashurohet me të.

“Thais” është një ngjarje që të bën të reflektosh thellë mbi vlerat e shoqërisë, ku ndërthuren emocionet e forta shpërthyese, por edhe natyra medituese e karaktereve që e bëjnë këtë një vepër paksa ndryshe nga operat e Puçini-t apo Verdi-t. Prandaj Jaho e Domingo kanë krijuar me këto role një duet fantastik ku buron prej të dyve pasioni dhe energjia e madhe muzikore.

Ermonela Jaho tashmë njihet për role të mëdha dhe të rëndësishme, sikurse është edhe roli i kësaj shfaqjeje, ku Jaho do të prezantohet në rolin e Thais. Ajo deri më sot është prezantuar në teatrot më prestigjioze të botës, duke u shpërblyer shumë herë edhe me çmime të rëndësishme.  Njëkohësisht Domingo është një zë i rallë që ka fituar zemrat e spektatorëve në të gjithë botën.

Opera “Thais” kua ata do të jenë protagonistë është një vepër me tre akte e kompozuar nga kompozitori romantik francez Jules Massenet-i dhe e shkruar nga dramaturgu Louis Gallet-i, bazuar në novelën me të njëjtin titull të Anatole France-it. Shkrimtari francez është vlerësuar gjithashtu me çmimin Nobel në letërsi për novelën “Thais”, në vitin 1921.

“Thais” u vu për herë të parë në skenë në Operën “Garnier” të Parisit, në 16 Mars të vitit 1894.

Në këtë vepër operistike murgu të ri, Athanael-it, në rolin e të cilit performon maestro Placido Domingo përpiqet të shpëtojë nga mëkatet dhe jeta e shthurur kurtizanen Thais, të interpretuar nga sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho. Pas përpjekjeve për të kthyer Thais-in në rrugën e drejtë të Zotit e krishtërimit, murgu rrëmbehet plotësisht nga ndjenjat më të forta për të, duke kapërcyer çdo vlerë, normë e besim të predikuar me këmbëngulje më parë.

Ndërsa Thais dergjej në shtratin e vdekjes, Athanael-i shkoi ta kërkonte për t’i thënë se asgjë në jetë nuk është aq e fuqishme dhe e vërtetë sa jeta dhe dashuria midis dy qenieve njerëzore. Vdekja e Thais e burgosi Athanael-in në një dëshpërim pa kthim, pasi jeta pa Thais për të nuk kishte më kuptim. Një histori e tillë e interpretuar nga dy ikona botërore të muzikës klasike sipas mediave spanjolle “e bën të mezipritur këtë shfaqje operistike”

“Thais” ishte një nga veprat më të njohura, por që nga mesi i shekullit të 20-të, pak nga pak u la në harresë, por vitet e fundit kjo vepër është ringjallur duke u shfaqur në teatrot më të njohura në botë, kështu duke u përfshirë edhe njëherë në repertoin operistik.

 

Pin It