Publikohen kriteret për të përfituar banesa sociale me qira. Nga ky program strehimi në Tiranë mund të përfitojnë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë, zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, dhe ato që kanë mbetur të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore.
Masa e qirasë
Kur banesat sociale me qira financohen nga Buxheti i Shtetit ose buxheti i bashkive apo kombinimi i të dyjave, masa e qirasë, e shprehur në lekë/m2 sipërfaqe ndërtimi, llogaritet nga zyra përkatëse në bashki. Qiraja mbulon kostot e administrimit dhe të mirëmbajtjes. Qiramarrësi, përveç qirasë, paguan për të gjitha shërbimet e tjera që lidhen me shfrytëzimin e banesës. Këshilli bashkiak miraton rregulloren për shfrytëzimin e banesave sociale me qira nga qiramarrësit, ku përcaktohen, me hollësi, të drejtat dhe detyrat e qiramarrësit dhe të entit menaxhues.
Sipas ligjit në fuqi, masa e qirasë vjetore nuk duhet të jetë më e madhe se 4 për qind e kostos së ndërtimit të banesës nga shteti, për banesat e reja, apo 4 për qind e vlerës së banesës të blerë në treg. Për objektet e dala jashtë funksionimit dhe ato të kthyera në fond banesash sociale me qira, masa e qirasë përcaktohet nga këshillat bashkiakë, bazuar në vlerën kapitale të transferuar dhe kostot e ndërhyrjes për përshtatjen e tyre. Personi juridik ose fizik i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit paraqet pranë njësisë së qeverisjes vendore kërkesën me shkrim për regjistrim për ushtrimin e veprimtarisë për administrimin dhe mbikëqyrjen e banesave sociale e të bonusit të strehimit.
Mënyra e administrimit dhe mirëmbajtjes së banesave sociale me qira përcaktohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore. Banesat me qira administrohen në bazë të një kontrate me entet menaxhuese të cilat janë persona juridikë, publikë ose privatë, apo persona fizikë të regjistruar në njërën prej formave të përcaktuara sipas ligjit. Kërkesa drejtuar njësisë së qeverisjes vendore nga enti menaxhues duhet të përmbajë një sërë të dhënash, të tilla si, identifikimin e entit menaxhues, si person fizik apo juridik, objektin e veprimtarisë, datën, nënshkrimin dhe vulën e personit.
Lista e dokumentave
– Çertifikata e lindjes së aplikantit dhe çertifikatën e gjendjes familjare.
– Vërtetimin për vendbanimin në bashkinë ku kërkohet strehimi ose lejen e banimit, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
– Vërtetimi i të ardhurave neto dhe bruto (vërtetim punësimi nga punëdhënësi) shoqëruar me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
– Dokumentin nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë antarët e vetëpunësuar të familjes.
– Vërtetimin nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
– Vërtetimin nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
– Vërtetimin nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
– Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë.
– Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi të strehimit.
– Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë antërët e familjes.
– Dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.
– Vendimin e gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për femijët.
– Vërtetimin përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit. – Vërtetimin e Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë së Kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara, që trajtohen sipas shkronjës “i”, të shkronjës “c”, të nenit 5, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, i ndryshuar.
– Nëse jetoni në një banesë me kushte jo të mira ose që rrezikon shembjen, kopja origjinale e vërtetimit të lëshuar nga Shërbimet Teknike të Bashkisë.
– Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”:
– “Emigrani” dhe “punëtori emigrant”:
* Vërtetim nga sportelet e migracionit të Ministrisë së Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ose
* Vërtetim nga zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ose
* Vërtetim i marrë pranë zyrave të punës.
– “Azilkërkues”:
* Vërtetim nga Drejtoria për Shtetësinë dhe Refugjatët.
– Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Policisë së Burgjeve:
* Vërtetim nga Policia e Shtetit.
* Vërtetim nga Garda e Republikës.
* Vërtetim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm.
* Vërtetim nga Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit.
* Vërtetim nga Forcat e Armatosura.
* Vërtetim nga Shërbimi Informativ Shtetëror.
* Vërtetim nga Policia e Burgjeve.
– Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje:
* Urdhri i mbrojtjes i lëshuar nga gjykata e rrethit gjyqësor, seksioni familjar (Fotokopje e njehsuar me origjinalin), ose
* Vërtetim të marrë nga qendra kombëtare e shërbimit të përkujdesit shoqëror për viktimat e dhunës në familje – e ngritur nga Ministria e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ose
* Dokumentacioni përkatës mjekësor i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe raporti mjekësor i lëshuar nga shërbimet e urgjencës dhe qendrat shëndetësore në bashki dhe komuna, ose
*Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe të rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
– Dokumenti e lëshuar nga institucionet përkatëse për familjet e komunitetit rom
Afati – 30 ditë
Vendi : Pranë Sektorit të Komunikimit dhe Pritjes së Qytetarëve në Bashkinë Tiranë