Protesta në Himarë, Greqia: Kujdes minoritetet nëse doni hapjen e negociatave

protesta-ne-himare

Banorët e Himarës protestuan paraditen e së hënës kundra projektit të ri urbanistik të Bashkisë së Himarës, i cili parashikon prishjen e 19 objekteve në qendër të qytetit. Banorët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre, ndërkohë që bashkia pretendon se shumica e objekteve janë të vjetra dhe të pabanuara.

Mes banorëve janë edhe familje të minoritetit grek, për të cilat ka reaguar edhe Ministria e Jashtme greke. Athina zyrtare ka kërkuar anulimin e vendimit duke e cilësuar atë si shkelës të të drejtave të minoritetit, një pikë e rëndësishme kjo për hapjen e negociatave.

“Po ndjekim me shqetësim të madh atë që po ndodh në Himarë, ku informohemi se 19 familjeve të minoritetit grek u është dhënë 5 ditë afat që të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi do të shemben. Autoritetet shqiptare duhet të veprojnë për të anuluar shembjet e banesave. Mbrojtja e të drejtave të pronësisë veçanërisht ajo e minoriteteve, është një pjesë e 5 kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Prandaj, në qoftë se Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duhet të tregojë që vepron si një shtet ligjor duke mbrojtur nga arbitrariteti dhe veprimet e paligjshme të drejtat e të gjithë banorëve pavarësisht kombësisë dhe origjinës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.

Pin It