Poemë satirike, që lexohet për vlerat semantike, gjuhësore e stilistike, artistike e letrare

Dosja_173 FL_0016

nga Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi

Universiteti Bedër

 Abstrakt

Kohët e fundit, si pasojë e hulumtimit profesional, u zbulua në Arkivin e Shtetit në Tiranë një poemë tjetër satirike e publicistit tiranas Hafiz Ibrahim Dalliu. Poeti i shquar i viteve ‘30, po i ofrohet lexuesit bashkëkohor, falë interesimit të studiuesit Dr. Genti Kruja, sepse komunikimi me autorin kishte mehur, për arsye jashtëletrare, pas përfundimit të Luftës II Botërore. Poema e shkruar në vitin 1922 (?) titullohet “Nji andërr e ime”.

Poema satirike e Hafiz Ibrahim Dalliut (1878-1952) ka gjithsej 681 vargje, të shkruara njëshkolonë, me strofa treshe por të pandara.

Tercina është e pandarë nga njëshkolona, me varg dhjetërrokësh, me rimë të përputhur AA për dy vargjet e fillimit, kurse vargu i tretë B, që është tetërrokësh, rimon me vargun e tretë B të tercinës që vjen pas e kështu në vijim.

Daktilografimi është realizuar në 16 fletë me shkronjën “e” në vend të shkronjës “ë”, por sidomos mangësitë në vendosjen e shenjave të pikësimit, si dhe cilësia e dobët e daktilografimit paraqet vështirësi në leximin e origjinalit, por jo në vlerësimin e veprës. Objekt i metodës filologjike do të jetë zbulimi i vlerave gjuhësore, që realizojnë komunikimin kontekstual dhe lokal dhe si dokumentim real i ekstremizmit gjuhësor që zuri fill ato kohë.

Fjalët kyçe: semantika, stilistika, gjuha e mjedisit, gnomika, diskursi komik

Hyrje

Shqipërinë e bënë entitet letrat, por menjëherë pas themelimit të shtetit të lashtë shqiptar, u dukën zbrazëtitë humane dhe veçmas ato profesionale të banorëve të tij. Më e dukshme ishte kjo në administratën shtetërore. Sa herë i kthehesh kësaj periudhe kohore, të dalin parasysh figurat e shquara kombëtare që guxuan dhe tërtherën (fjalë e krijuar nga Naum Veqilharxhi për të zëvendësuar huazimin sakrificë, R. O.) veten për të vënë themelet e shtetit. Një pjesë e madhe e tyre u kthyen nga Perandoria e sëmurë, ndaj më tej të shkon në mendje edhe se cilat ishin profesionet e shtetarëve nistorë, cilësia e arsimimit të tyre. Të mësuar të drejtoheshin nga të tjerë për periudha kohe të gjata, administrata shqiptare u vu në sprova të shumta. Idealistët e ardhur, që iu shtuan nëpunësve vendas, për të kthyer ëndrrën në realitet, filluan të shfaqnin zhgënjimet e para. Shoqëria shqiptare, sidomos shtresa e ulët edhe ajo e mesme, prirej nga interesa kryesisht materiale, duke dëshmuar mungesën e një formimi të mirëfilltë dhe të plotë. Interesi material, paraja ishte kthyer jo vetëm në mjet për të jetuar, por në synim, duke lënë në hije tiparet e tjera të nevojshme, pa të cilat nuk mund të mbahej shteti dhe jo më të rritej cilësisht. Kur kthehet në mani, ky mjet shkëmbimi i nevojshëm zhvlerësohet, sepse nuk i shërben zhvillimit dhe përparimit. E kthyer në fjalë kyç në ligjërimin e kohës, sipas Lumo Skendos, ajo kishte zënë vendin e kryefjalës:

“P.S. Fjala më e përdorur shumë në gjuhët tënë është para

Cilësit e inteligjencëse, të karakterit, zotësinë, diturinë, s’e zënë ngoje

Do të them se, mbase i vetëmi vënt në botë ku paraja s’bën para, është Shqipërija.”

Mungesa e motivimit dhe mosvendosja e rregullave të tregut të lirë, shto mungesën e rendit dhe të qetësisë, si dhe të një tradite pluraliste, jo vetëm që nuk po ndihte në zgjidhjen e problemeve, përkundrazi.

Kleriku dhe publicisti

Vepra e parë e botuar nga ky autor titullohet “Grenxat e kuqe të Tiranës”, poemë satirike në vargje, 1915, për të vijuar një heshtje disavjeçare, që domosdoshmërisht ka lidhje me luftërat ballkanike, Luftën e Parë Botërore dhe pasojat e tyre, që përfshinë Shqipërinë dhe veçmas Tiranën, ku jetonte, punonte dhe publikonte autori. Kongresi i Lushnjës, 1920, duket filloi zgjidhjen institucionale të problemeve të rënda. Nis themelimi i shtetit modern shqiptar, që duhej t’i shërbente shqiptarit, i cili në kushtet e reja rrekej të krijonte ndërgjegjen kombëtare. I bindur se edukimi fetar i shërbente edhe forcimit të identitetit kombëtar, H. Ibrahim Dalliu u kthehet botimeve të shumta. Emri i tij shfaqet në kapakët e librave botuar në vitin 1921: “Texhvidi (Rregullat e leximit të Kuranit)”, “Ilmihali (Mësime të Fesë Islame)”, “Dhanti e Ramazanit”, vepër që u ribotua dhe “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit” (u botuan vetëm 7 xhuze, duke pritur botimin e veprës së plotë). Faktet flasin që ai vijon të punojë e publikojë intensivisht në të dyja lëmitë, ku kishte mundësi më të dukshme.

Në vitin 1922 i kthehet përsëri krijimtarisë artistike të mirëfilltë, duke i dhënë publikut poemën satirike “Dokrrat e Hinit”. Dëmtimin e identitetit kombëtar ai e shihte edhe në përdorimin vend e pavend të huazimeve dhe për këtë ai qesëndiste njerëzit e kafeneve, që sa vinin e shtoheshin në kryeqytetin e saposhpallur, në Tiranë. Diku aty qesëndisja kalon në ironi e deri në satirë, sepse autori zbulon cektësinë në formimin kombëtar të bashkatdhetarit të vet, që synon ta kthejë në qytetar aktiv.

Koha nuk priste, prandaj bashkë me krijimet artistike që ftonin lexuesit t’u jepnin jetë, ka veprimtari të pasur në publicistikë, që e boton si libër më vete: Publicistikë në gazetën “Dajti”, 1924.

Nevoja për shtimin e forcimin e identitetit kombëtar, të forcimit të sedrës kombëtare që po kalonte natyrshëm gjatë kësaj periudhe në ndërgjegjen kombëtare, i dha forcën e duhur të dalë para lexuesit të etur për këtë lloj problematike me botimin “Patriotizma në Tiranë”, 1930. Krijimi nga ky dëshmitar okular, është njëherazi një fakt me vlerë që zgjon ide të fuqishme. Në kontekstin kulturor dhe socio-politik të kohës lexuesi shqiptar kishte në dorë dhe po e shijonte pamfletin e Hafiz Ali Korçës, Tiranë, 1925, “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. Me fakte tronditëse Korça analizoi gjëmën që do t’i shkaktonte botës zbatimi në jetën shtetërore dhe atë shoqërore i ideologjisë komuniste, duke e parë të pamundur realizimin e tij në Shqipëri. Bashkë me të lexuesi shqiptar kishte përpara idetë e Branko Merxhanit mbi neo-shqiptarismën, të shfaqura qysh në vitin 1929 te gazeta “Demokratia”, që botohej në Gjirokastër. Çami i krishterë, që kishte mërguar në Turqi, ishte shkolluar në një kolegj britanik në Izmir, duke i plotësuar njohuritë me studime të tjera më të plota filozofike në Gjermani apo Austri, dhe kishte rënë në kontakt me mendësinë perëndimore, që i ecte paralel me atë lindore, të cilën ia mëkoi djepi ku u rrit:

“Qe ndër të rrallët e ditur që u burrërua nëpërmjet mentalitetit të botës lindore e u brumos nëpërmjet diturisë dhe përparimit të botës perëndimore.”

Duke mos mbetur në nivelin e informimit, vëzhgimit, analizës sociologjiko-antropologjike dhe për më tepër në ngujimin e studimeve shkencore që ushqenin përqendrimin e ndrydhur në mefshtësinë tipografike, Branko Merxhani hodhi në tryezën e diskutimit dhe të analizës dilemën e kohës: Nga Lindja apo nga Perëndimi, si një grishje që e shkaktonte çasti historik, pas lëvizjeve revolucionare që shkaktoi Revolucioni i Tetorit në Rusi, jehona e të cilit po ndihej edhe në Shqipërinë pa klasë punëtore, por ku amplifikimi realizohej nga radikalë naivë, me qasje të majta deri bolshevike.

Oksidentalizmi që mori përparësi krahasuar me termin Orientalizëm, u bë temë kryesore bisedash në kafe Kursal, Berlin apo Bella Venezia, po edhe objekt debatesh, opinionesh dhe analizash në gazetat e kohës së artë të kulturës shqiptare, që do të mbyllet me përfundimin e luftës. Duke qenë me këmbë në tokë, Dalliu e titulloi veprën e vet “Patriotizma”, që do të thotë se e vendos në mes dy ekstremeve, që mund të shkaktonin probleme sociale, atëherë kur duhej më tepër se kurrë qetësi e paqe dhe jo vetëm në Tiranë.

Në vitin 1934 H. Ibrahim Dalliu i paraqitet lexuesit me kryeveprën e tij “E lemja dhe jeta e të Madhit Muhamed a.s.”, me 6143 vargje, i bindur se edukimi fetar ndih jo pak në forcimin e ndërgjegjes kombëtare, për të cilën kishte nevojë shoqëria e kohës. Botimi pasohet nga libri “Ç’është Islamizmi”, 1935, një studim i mirëfilltë teorik mbi elementin bazik të kulturës islame, “Islami”, i plotësuar nga dy të tjerët: “Imani” (Besimi) dhe “Ihsani” (Njerzillëku). Dy vjet më pas, 1937, autori i jep lexuesit një vepër tjetër, që pos vlerës teorike mund të përdoret edhe praktikisht prej besimtarit mysliman, “Libri i së falmes”.

Në morinë e botimeve intensive të këtij autori duhet shtuar dhe botimi “Udha Muhamedane” e Muhamed Bergjiviut, përkthim rreth 500 faqesh, që iu dha lexuesit në vitin 1936.

Autoriteti prej shkrimtarit, i fituar mes lexuesve të shumtë, i diktoi themeluesit e institucionit kulturor që u ngjiz fill pas lufte, që ta pranonin si anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, anëtarësim që nuk e shpëtoi dot nga kalvari i persekutimeve që filluan bashkë me anëtarësimin në të.

Poema e pabotuar

Poema e panjohur prej lexuesit u hulumtua nga studiuesi dhe botuesi Dr. Genti Kruja, i cili vijon të nxjerrë nga harresa e qëllimshme shkrimtarë që duhen lexuar. Materiali i fotokopjuar u përcoll për botim te një revistë, me synimin që të vlerësohet më imtësisht dhe gjerësisht në një punim tjetër më të plotë. Në dosjen e ruajtur në Arkivin e Shtetit ka një gabim qysh në titull, sepse shkruhet: NJI ANDËRR E IMJA (NJI ANDERR E IME, në origjinal). Të larguarit e mjegullës së rënë mbi letërsinë e dënuar me harrim e zhdukje bëhet pjesë aktive e aktit civilizues të krejt historisë sonë kombëtare, aq më tepër kur vepra ka për autor një të nëmur edhe politikisht.

Poema satirike e Hafiz Ibrahim Dalliut (1878-1952) ka gjithsej 681 vargje, të shkruara njëshkolonë, me strofa treshe, por të pandara. Tercina është e pandarë nga njëshkolona, me varg dhjetërrokësh, me rimë të përputhur AA për dy vargjet e fillimit, kurse vargu i tretë B, që është tetërrokësh, rimon me vargun e tretë B të tercinës që vjen pas e kështu në vijim.

Daktilografimi është realizuar në 16 fletë A4 me shkronjën “e” në vend të shkronjës “ë”, por sidomos mangësitë në vendosjen e shenjave të pikësimit si dhe cilësia e dobët e shtypjes paraqet vështirësi në leximin e origjinalit.

Për këtë vepër artistike në vargje, të pabotuar, mësohet nga botimi enciklopedik 100 personalitete shqiptare të kulturës islame, shek. XIX-XX, botimet KMSH, botimi i tretë, Tiranë, 2015 si dhe nga monografia e studiuesit Xhemal Balla: H. Ibrahim Dalliu, jeta dhe vepra, Tiranë, 2008. I dënuar institucionalisht me heshtim të dhimbshëm e harrim të qëllimshëm institucional, sepse vitet e fundit të jetës, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Dalliu i shtyu në burg politik, la pas veprën e tij, më së shumi krijime letrare me tharm fetar, që u vunë në shërbim të shkollimit dhe të edukimit me besimin islam shqiptar, studime historike dhe sociologjike si dhe krijimtari e mirëfilltë artistike, kryesisht në vargje.

Poema që botohet për herë të parë, afrohet në kohë me satirën në vargje Dokrrat e Hinit, e botuar në vitin 1922. Koha që nuk po mundte të sillte heroikën e vet, zvarritej me dukuri të kundërta të saj, deri komike, që i jepnin frymëzim satirës e në jo pak fakte letrare, që afrohen me ato historike, edhe groteskut. Pasqyra satirike e kohës sociale dhe politike, zbulon ide morale dhe etike. Qeveria e Xhaferr Ypit, si pasardhëse e asaj të Omer Vrionit dhe e pasuar nga qeveria Ahmet Zogolli, që erdhi në fuqi në janar 1922 dhe drejtoi shtetin e brishtë shqiptar deri më 26 dhjetor të atij viti, kishte sjellë në sofrën e historisë partinë e parë politike, Partia Popullore, që mbështeste bejlerët. Një kundërshti e tipit të oksimoronit, e cila i jep autorit material të bollshëm faktik për të ngjizur subjektin poetik. Në këtë kontekst historiko-social, që prodhon edhe atë artistik, lëvrijnë figura të shumta të historisë, mjaft prej të cilave të rënduara me ngjyra të errëta. Qëndrimi kritik por dhe mosnjohja e të gjitha fakteve historike, ka sjellë krijimin e personazheve që shkaktojnë humor të zi. Të duket se ka një ngjashmëri me Korbin e E. Poes, që do ta sillte në shqip Fan Noli, sepse ëndrrën ia shkakton një qyqe, që për vetëdijen shqiptare ndjell veç keq.

Në poemën e bukur dhe të fisme ndërthuren historia me imagjinatën, duke krijuar situata që i shërbejnë njohjes së të vërtetës historike, madje dhe që krijojnë mundësinë për jetësimin e saj edhe sot, duke dëshmuar kësisoj se arti nuk vjetrohet. Figura e ministrit të Brendshëm, që do të jetë Kryeministri dhe më pas Mbreti i Shqipërisë, është dhënë me realizëm, pa ngjyrën e elementeve komike, siç janë dhënë mjediset apo figurat e tjera, që i ka sjellë imagjinata e tij e begatë.

Toposi i kësaj poeme satirike, mbi të cilën veproi hirnaja e harresës ideologjike, është përdorur si topikë për të bindur lexuesit se jo pak gjëra po shkonin keq e më keq. Pas veprave ku qëllimi kombëtar vihej në themel të çdo synimi, duke filluar pas vitit 1900 e këtej, i ishin dhënë lexuesit krijime të fuqishme, ku mahia, tallja e hidhur, parodia po shpërfaqte pamjen e përgjithshme të realitetit shqiptar. Tematika aktuale i çel udhë shtjellimit të temës që satirizon realitetin politik, me ndikim në atë ekonomik, social, shpirtëror të shoqërisë shqiptare të fillimit të viteve ‘20.

Kriza e brendshme politike ka kapluar dhe gjunjëzuar popullin shqiptar, Tiranën, Krujën, Elbasanin duke u dëshmuar si institucionale, morale, sociale dhe etike. E njëjta gjendje dëshmohet gjithkund në atdhe:

Si ndo j’zog po neper deget

Her kah Tosket her kah Geget

Mendja ime zue me shkue.

Ministri i Brendshëm, ‘po korr fitoret e para’, që do t’i shërbenin qetësimit të gjendjes, rendit dhe qetësisë publike. Stabiliteti i rendit del parësor, kurse demokracia vetëm sa pranohet me emra partish: Partia Popullore (Popllore në të folmen e Tiranës). Qetësia po vendoset me dhunë policore, me taksa, që po prodhon poshtërim edhe në ekonomi, edhe në vlera morale. Ndihet përmbysja politike që nuk dihet çfarë sjell, sigurisht jo demokraci (tredhje, fjalë e stilit të ulët e përdorur në poemë).

Hafiz Ibrahim Dalliu nuk fal lëshime apo symbyllje, edhe pse është besimtar e klerik universitar, sepse këtu është krijues që zbulon e jo kurues, shërues plagësh a bari i turmës që pret kujdes e mbrojtje.

Stabiliteti pa demokraci është litar dhe hu, taksa dhe korrupsion. Duhen të dyja, gjykon ai: stabiliteti, paqja sociale, por edhe demokracia, që krijohet e mbrohet institucionalisht.

Simbolika e qyqes që e vë në dialog me shqipen e ndihmon krijuesin të zhvillojë qëndrimin qortues. E ka bindje që duhet të largohet sa më shpejt nga drejtimi i vendit aristokracia feudale, për t’i lënë vendin asaj intelektuale, që kishte nisur të krijohej. Kërkon që të dalin në krye njerëzit që do të shërbejnë, madje përdor terma politike si bolshevikët dhe menshevikët, duke e rreshtuar veten me të parët. Është i bindur se ‘burrat e dheut’ do të dinë sesi ta udhëheqin popullin drejt Evropës.

Udhëtimi imagjinar nëpër ferrin shqiptar e vë në kontrast me një mjedis përrallor, në të cilin jeton administrata e lartë, e porsa vendosur në kryeqytetin e ri. Me anë të enumeracionit autori jep gjendjen e nderë që kanë krijuar shtetarët e papërgjegjshëm.

Autorit i bie në sy se ka filluar të mos respektohet kontributi i krijuar prej rilindësve, që mundën të vendosnin në themel të së ardhmes sedrën kombëtare. Dyshon në vlerat e krijuara nga vendimet e Kongresit të Lushnjës, që nuk po arrijnë të zbatohen institucionalisht.

Duke pasur njohuri juridike e kushtetuese, e ndjen që Statuti (Kushtetuta) i pazbatuar apo i zbatuar keq paraqet rrezikshmëri. Asambleja nuk po arrin të zbatohet në bazë, sepse katër këshillat e krijuara, nuk japin siguritë e duhura.

Këshilli i Naltë përbëhet nga Ymer Vrioni, Sotir Peci, Refik Topija dhe Ndoc Pistoli. Për mendimin e autorit “Tjeret shkruejne kta i vulosin”.

Po kështu mosbesues është dhe për nivelin profesional, moral e intelektual të qeverisë së Xhaferr Ypit, që asokohe quhet Këshilli Veprues. Aq i shqetësuar është sa nuk i rëndet të thotë se ndonjë ministër ngjan me majmunin, si fytyrë, duke e rënduar llojin e fjalëve që përdor. I tillë është edhe parlamenti i vendit, i përfaqësuar me opozitën që ‘fliste pak’, si fakt për të treguar gjendjen e tij reale. Mundohet të shpërthejë qelbin e mbledhur në thellësi të shpirtit kur thotë zbulimin dhe e mbyll mendimin me vargun ironik, ku duhet menduar e kundërta, si lloj i komizmit:

Lumte na per Parlament

Është i shqetësuar deri dhe prej organizimit të institucioneve fetare, prej përfaqësimit intelektual që nuk po arrin të udhëheqë me idetë e tij…

Llafazanëria po arrin kulmin. E nisur me anën heroike, gjithçka po përfundon me anën e vet komike. Në vend të betejave për të vendosur popullin në pushtet, do të ketë spektakle që vetëm kurdisen e pastaj nuk sjellin zgjidhje, por mysibet (fatkeqësi të mëdha, gjëma). Çuditesh kur lexon se deri dhe autori që e stilizon veten si të djathtë, merr në mbrojtje me përdëllimtari dhe patos, nëpërmjet një fjalori agresiv, veprime të dhunshme, të cilat krijojnë dhe një mendësi të tillë. I ngjashëm ky me frenezinë (ngasje tërbimi) që u pa në shtypin shqiptar të viteve ‘20, kur Avni Rustemi, ‘Aj far Avniut’, vrau në Paris Esat Pashë Toptanin.

Kjo duket ishte gjendja e formimit ideologjik të kohës, ndaj nuk krijoi iluzione, por një botë që mund të jetë. Këtu është një prej vlerave të shumta të poemës, që porsa iu përcoll publikut për lexim. Si njeri i letërsisë, Dalliu ka operuar me ‘idealin e së ardhmes’, ndërkohë që politika është mekanizëm i mjeteve të së sotmes. Autori dokumenton një aleancë ‘zagarësh’ në kasaphanën e kohës, që përsëritet si ‘aleancë qelbësirash’ në kohën e ardhshme. Është po ai zhgan i neveritshëm që bën zëvendësimin e heroikes me satiriken, duke i mbetur si rezultat kënga shpëtimtare, ajo që vdes e fundit.

Ibrahim Dalliu ngrihej mbi vullkanin politik, në përpjekjen për ta ftohur atë magmë, e cila kur kohët të kalonin do të bëhej ndërgjegjja dhe historia e popullit të tij, që është diçka tjetër nga ajo e nëpunësve të lartë, që nuk arritën të krijonin shtet.

Lexuesi bashkëkohor i poemës satirike bie dakord me autorin “per siperfaqen e jo per brendine e premises” që formon silogjizmin e shpërfaqur mes fjalëve kyç: ëndërr, zhgjëndër, qyqe, pasiguri, muzgëtim, pezmatim, dhunë, bubullimë, gaddare[1], hata, kobë, tauna, jargë, raki, birrë, vermut, fërnet, shampanjë, konjak, çengi, jezid, zullum, Domuzdovë (për Domosdovë), rebel, xhahil, Libibi (një i marrë në Tiranë), namuz, turi si majmun Sudani, tyleka, fa xhangen, opingaret, spiun, jeniçer, vidhni, rripni, burgimi, gjoba, mysibet, u varren ca persona…

Autori e përgatit atmosferën e kohës dhe nuk kishte si të mos mbaronte po me një gjendje të dhunshme. Gjithçka e realizuar me anë të fjalës, që do të krijonte frymën e kohës që u përcoll gjatë.

Nëpërmjet këtij komunikimi kontekstual kulturor, mësojmë për rolin negativ që luan fjala artistike, në krijimin e gjendjes shpirtërore të banorit të kohës. Edhe për këtë funksion artistik, poema që porsa iu paraqit lexuesit, duhet të lexohet, vlen të lexohet dhe do të lexohet, edhe sot e nesër, për shumë vlera të saj semantike, gjuhësore e stilistike, artistike e letrare në përgjithësi.

Diskursi satirik si diskurs social

Kur u shkrua poema, po të ishte botuar, do të kishte pasur shumë dëgjues dhe sigurisht shumë e më shumë lexues. Tani që iu paraqit lexuesit, ka vetëm lexues që e përjetojnë ligjërimin poetik si të vetmin realitet të mundshëm social, sidomos kur shijojnë vargje:

Ktu filloj burgimi e gjoba

T’pa fajshmit mbare i zu koba

Mysibet mbi mysibet.

Realiteti i zbuluar prej poetit është i dallueshëm prej atij konkret, sepse është virtual dhe sa e sa më i zmadhuar, por gjithnjë shumë personal. Autori është i lirë të hyjë në mjedise të tilla ku nuk ka mundësi të vëzhgosh. Hapësira e lirisë i është bërë e mundur atij për të mbajtur qëndrim kritik shumë të guximshëm. Më shumë se petku i klerikut të ditur dhe të urtë, këtë mundësi ia jep zgjerimi i hapësirave të lirisë në krijimtari. Poema është kthyer kësisoj në një pasqyrë që zbulon të vërteta që nuk vjetrohen.

Po të kemi parasysh maksimën e Zigmund Frojdit: “Qytetërimi filloi kur, për herë të parë, një njeri hodhi një fjalë në vend të një guri.”, mund të jemi më të saktë në përcaktimin e rolit të madh që luajti gjuha e krijimeve artistike në krijimin e paqes sociale, apo në të kundërt, aq të nevojshme për atëherë, e gjithmonë. Që shkrimi në shqip po fiton ngjyresa kritike, kjo duhet përshëndetur, por toni i tij do parë me kujdes. Edhe ky personalitet i kohës, bëhet pjesë e mendësisë që po krijohej, në periudhën kur po krijohej ndërgjegjja kombëtare. Nëse kemi parasysh thënien e Abraham Linkolnit se e fiton të drejtën për të kritikuar, ai që ka zemrën për të ndihmuar, kuptohet sesa i madh është ndikimi i realitetit të krijuar mbi realitetin që jetohet.

Jemi përballë një simulakre. Simulakra (njëjës simulacrum), janë kopje të gjërave që nuk ekzistojnë ose nuk kanë origjinal. Jean Baudrillard, një filozof i njohur bashkëkohor, ka argumentuar se simulakra kanë të bëjnë me zëvendësimin e realitetit me simbole dhe shenja, në mënyrë që përvoja njerëzore të jetë produkt i saj. Baudrillard thotë se këto simulakra nuk janë thjesht ndërhyrje në realitet, as ndërhyrje iluzive në realitet: Ato nuk janë të bazuara në një realitet, as nuk fshehin një realitet, ato thjesht fshehin që gjithçka si realiteti, gjithçka reale të jetë përcaktuese mbi të kuptuarit tonë. Simulakra, të cilës i referohet Baudrillad, janë domethëniet dhe simbolizmi i kulturës dhe medias, që ndërton realitetin e perceptuar.

Se sa ndikim pati në krijimin e ndërgjegjes kombëtare, në forcimin e identitetit dhe mbrojtjen e traditës, e dëshmoi ardhmëria. U prish paqja sociale dhe u krijuan kushtet që propaganda e shfrenuar të zëvendësonte komunikimin kulturor, pasojat e të cilit ndihen ende.

Përfundime

Zgjedhjet e kryera për herë të parë në Shqipëri, menjëherë pas Kongresit të Lushnjës, nxorën një qeveri që po rritte varfërinë e dhunën. Ato nuk arritën të jenë një instrument demokracie, por u shfrytëzuan për të marrë pushtet, kur duhej të ndodhte e kundërta. Roger Sherman, njëri nga etërit themelues të SHBA, ka mbështetur idenë se zgjedhjet janë një mjet për ta lënë pushtetin, jo për ta fituar. Kur veprohet kësisoj dalin zgjidhjet e duhura dhe shmangen konfliktet. Atje ku fituesit përcaktohen nga shkathtësia apo manovrat e qeverisë dhe jo nga pëlqimi i publikut që voton dalin në pah autoritarizmi, korrupsioni dhe dhuna shtetërore. Ndoshta ajo mendësi punon me mjete edhe për të krijuar dhunën me anë të fjalës, që vihet në të kundërt të funksionit që ka.

Konteksti letrar ku u zhvillua kjo poemë satirike është nacionalizmi, si ideologji e madhe kolektiviste. Porsa kanë heshtur luftërat ballkanike dhe pas tyre Lufta e Parë Botërore. Pas Kongresit të Lushnjës, filloi ngjizja e demokracisë shqiptare, që ka në themel pluralizmin. Nacionalizmi ushtroi dhunë mbi autorin, mbi individualitetin e tij krijues dhe veçantinë e veprës duke lënë si trashëgim një botë që mund të ndodhë, e cila u pranua si kontekst i kohës.

Poema Nji anderr e ime, siç po e mësojnë ata që kanë nisur ta lexojnë, është poemë e veçantë; është krijim i shkruar në kohën e trysnisë së madhe ideologjike, por që i ka shpëtuar asaj trysnie më shumë se ç’ ka qenë e mundur dhe se ç’ka qenë e menduar. Vlera e tekstit artistik ngrihet mbi atë të kontekstit letrar lokal, që dallon nga dritarja e Faik Konicës te novela Doktor Gjilpëra (1924), që jep luftën politike të kohës, kur vepron shteti tragjiko-komik shqiptar. Poema e panjohur është krijimtari artistike që i ka çliruar dogmat e kufizimet e kohës, është poemë ku kryqëzohen kohë, kultura, besime, filozofi, mite, mendësi, është poemë ku ndërthuren realja me fantastiken, ku ndeshen kontrastet e antitezat e fuqishme, ku mbruhen simbole që përcillen në kohë, ku marrin kuptime sipërore e sfidohen njeriu me të gjitha ato që përbëjnë jetën e tij sociale, ëndrra e zhgjëndrra. Ndonëse në kushte të vështira, në këtë poemë ndihet fort përcëllimi i fjalës që vret, ku shijohet thellë idhtësia e urrejtjes, njelmësia e fuqia jetësore e smirës, ku regjet e dergjet populli ‘me pes qint halle ne shpine’, ku të rreh padrejtësia e paaftësia po aq sa jeta, ku mallkimi po mundon të mëdhenj e të vegjël, ku liria dëshirohet e duhet më shumë se ëndrra. Me pak fjalë e vërteta që nuk vjetrohet, nuk i jep mundësi mbivlerësimi të kontekstit letrar, sepse mbron vlerën e formës.

Ky rilexim i parë i poemës “Nji andërr e ime”, që flinte në arkiv, zbulon edhe shumë të fshehta të artit të H. Ibrahim Dalliut, edhe shumë të pathëna e të heshtura të tij, që dalin si nëntekst shumështresor e që zbulojnë hibridizimin e tij kulturor, që i theksoi ngjyrat e dramës së tij vetjake, por që asokohe iu bë krah në krijimin artistik. Bashkë me to zbulohet edhe rreziku që krijon mendësia kolektiviste, që u mbars me agresivitet e deri me urrejtje, duke u çelur udhë sistemeve politike ekstreme: fashizmit e komunizmit. Poema shërben si dokument për të provuar sesi fjala artistike mund të krijojë një realitet vrastar, pra të kryejë funksionin e kundërt të atij për të cilin është krijuar. Fjalori agresiv i regjistrit të ulët, që jo pak herë afrohet me stilin funksional të publicistikës letrare, i ndihu kohës historike që do të synonte të vinte në krye të vendit anën ideore mbi vlerat artistike.

Duke i ndihur shpërfaqjes së një bote të irrituar, nuk mundim të gjejmë Tiranën pa plagë, me jetë të zakonshme, ku jetohet, ku ka varreza, xhami, kisha, pazar, klube e vese. Sidoqoftë, duke qenë një personalitet plot impulse njerëzore, që nuk mund të shpersonalizohej, me veprën e vet artistike ai dokumenton se çfarë mund të krijojë gjuha e hakërruar prej fjalorit ideologjik.

Edhe me këtë dokumentim të problemit që krijon një botë, e cila përjetohet si kontekst lokal e kulturor, poema, së bashku me veprat e botuara, e bëjnë autorin krijues kanonik, sepse me letërsinë e re ushqeu letërsinë e traditës, ndonëse duke i ndihur krijimit të kujtesës ideologjike. Mjegulla e rënë mbi letërsinë e dënuar me harresë, pati dhe një shërbesë konkrete për këtë poemë. Ajo nuk u përdor për t’u mbivendosur konteksti ideologjik mbi tekstin artistik, siç ndodhi me tekste të tjera që ofrojnë deformime në interpretimin e teksteve, sidomos pas Luftës së Dytë botërore.

Botimi i veprës së H. Ibrahim Dalliut në Tiranë, shërbeu në hedhjen e urave midis veprave të krijuara, duke iu larguar letërsisë ishullore që nuk ishte e pakët te ne. Vepra e paraqitur për lexim rrëzon mitin e mosleximit, sepse leximi filologjik prish leximin ideologjik, ndonëse krijimi vijon të anojë më fort kah përmasat e një letërsie misionare.

Bibliografi

– Balla, Xh. (2014) Personalitete të kulturës fetare dhe atdhetare në Tiranë, Tiranë.

– Dizdari, T. (2005) Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë.

– Hamiti, S. (2010) Poetika shqipe, Tiranë.

– Ombashi, R; Kruja, G. (2017) Nji andërr e ime, “Zani i Naltë”, 19, Tiranë.

– Shehri, Dh. (2013) Statusi i kritikës, Tiranë.

[1]. Mashtruese, arab. (shënim i redaksisë).

Burimi: Revista ” Zani i Naltë”

Pin It