Agjencia Turistike Franceze thur Elozhe për Shqipërinë

Në shkrimin më të fundit dedikuar vendit tonë, “Evaneos” radhit dhe argumenton 5 arsye përse Shqipëria duhet të jetë në top listën e vendeve për tu vizituar gjatë vitit 2018.

Sipas kësaj agjencie, mikpritja e Shqiptarëve, gatimet karakteristike të zonave të ndryshme, vendet e shumta turistike të pashkelura, flora, fauna si dhe çmimet përgjithësisht të ulëta, e bëjnë Shqipërinë destinacionin ideal për tu vizituar.

Shkrimi i kësaj agjencie fillon me trajtimin e mikpritjes si zakon për tu lavdëruar. “Shqiptarët janë të këndshëm, mikpritës dhe të gatshëm për të ndihmuar këdo që ka nevojë për ndihmë”.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me vendet piktoreske ende të pashkelura. I gjithë territori i Shqipërisë, që nga jugu e deri në veri, është i tej mbushur me pika turistike të pashkelura nga turistët. Me bregdet të larmishëm, lumenj të shumtë, male e pyje të largët me peizazhe madhështore.

Më tej shkrimi i “Evaneos” trajton kuzhinën e vendit tonë si mjaft të larmishme, duke filluar që nga frutat e detit të Vlorë e Sarandë e deri tek gatimet e shumta në saç të zonave të veriut, duke ndërthurur kështu shijen orientale me atë perëndimore.

“Strehimi, transporti, ushqimi, të gjitha këto i gjeni me çmime mjaft të arsyeshme. Duke ju krijuar mundësinë të kënaqeni me pak para”- thuhet më tej në shkrim.

Arsyeja e fundit që përfshihet në trajtimin e kësaj agjencie ka të bëjë me faunën dhe florën e mbrojtur. Vendet e pashkelura të vendit janë të mbushura me kafshë të ndryshme. Klima dhe Relievi mjaft i veçantë i Shqipërisë të krijon mundësi të shumta të njohësh botën ujore.

Pin It