Policimi në komunitet, projekti që afron policin me qytetarët

Projekti më i ri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, policimi në komunitet do të shërbejë për afrimin e policisë me qytetarët.

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme, Romina Kuko u shpreh se ky projekt përbën, një transformim në konceptin dhe mënyrën e të menduarit. Zv/ ministrja Kuko u shpreh se, ky projekt i bën aktorët qendrorë dhe vendorë më përgjegjës për qytetarët dhe i vë në ndërveprim me qytetarët.

Hapi i parë i policimit në komunitet është modernizimi i policisë në nivel qendror dhe vendor. Ristrukturimi bëhet duke i dhënë rëndësi policimit në terren. Riorganizim i komisariatit duke afruar policinë me qytetarët. Një tjetër element, u shpreh Kuko është krijimi i marrëdhënies me qytetarët për forumet për sigurinë publike.

Qytetarët pjesëmarrës në forume do të nxiten të shprehin mendimet e tyre dhe të kërkojnë llogari ndaj Policisë.

Shërbimet për publikun janë një tjetër risi ku qytetarë do të mund të marrin shërbime nga policët në komunitet. Kjo bëhet për të ulur fluksin në komisariate dhe afrimin e policit me qytetarin, tha Kuko.

Ministria e Brendshme ka përfshirë konceptin e bashkëpunimit multi-agjenci, duke krijuar Këshillin vendor të njësisë publike, ku përfshihen edhe Prokuroria dhe Gjykata. Projekti ka të bëjë me identifikimin e problematikave. “Kjo ka të bëjë me parimin që sa më shumë parandalohet aq më pak kriminalitet ka”, u shpreh Kuko.

ATA

Pin It