Poliglotë apo jo, sa i duan vendet e BE-së gjuhët e huaja

Gjuhët e huaja

Të dhënat më të fundit nga Eurostat-i tregojnë se europianët mësojnë të paktën një gjuhë të huaj. Vendi me më shumë poliglotë është Luksemburgu, ku shumica e shtetasve flasin deri në tri gjuhë të huaja

gjuhet-3-640x427

Shtetasit e Luksemburgut janë kampionët e BE-së për mësimin e shumë gjuhëve të huaja, ndërsa irlandezët, bullgarët, austriakët dhe hungarezët janë më të dobëtit në këtë drejtim. Të dhënat zyrtare më të fundit vijnë nga Eurostat-i.
Të gjithë nxënësit e fillores në Luksemburg po mësojnë të paktën dy gjuhë të huaja.
Katër të pestat ose më shumë e nxënësve të të njëjtit nivel në Irlandë, Bullgari, Austri dhe Hungari, po mësojnë vetëm një gjuhë të huaj.
Nuk ka shifra të qarta për Mbretërinë e Bashkuar, që në të shkuarën është akuzuar se nuk ia ka dalë të “prodhojë” mjaftueshëm njerëz të aftë që të flasin gjuhën e një vendi tjetër.

Trende të tjera përfshijnë shifra si:

89.7 për qind e nxënësve në fillore në Irlandë mësojnë një gjuhë të huaj, shifra më e ulët në Bashkimin Europian. Të gjithë nxënësit në fillore në Danimarkë, Greqi, Spanjë, Itali, Luksemburg, Maltë, Slloveni dhe Suedi mësojnë të paktën një gjuhë të huaj.
Belgjika dhe Luksemburgu janë të vetmet vende në BE, ku anglishtja nuk është gjuha e huaj më e studiuar. Anglishtja është gjuha e huaj më popullore, pasuar nga frëngjishtja, gjermanishtja dhe spanjishtja. Rusishtja është e vetmja gjuhë jo e BE-së që studiohet si gjuhë e dytë e huaj në disa vende të BE-së.

A është Luksemburgu një anormalitet?

Ka pak dyshim për aftësinë e luksemburgasve kur vjen puna për gjuhët e huaja. Gjithsesi, për interpretimin e shifrave një ndihmë të madhe jep edhe Eurostat-i.

gjuhet-2-640x427

Vendi ka tri gjuhë zyrtare, gjuhën e Luksemburgut, frëngjishten dhe gjermanishten. Fëmijët nga shkolla fillore i mësojnë të tria.
Por, pavarësisht kësaj, Eurostat-i ende e llogarit frëngjishten dhe gjermanishten te gjuhët e huaja. Një studim i vitit 2011 tregoi se Luksemburgu ishte i vetmi vend në BE, ku më shumë se gjysma e të anketuarve ishte në gjendje të fliste tri gjuhë ose më shumë. Rreth tre të katërtat e të rriturve (mosha 25 deri në 64 vjeç) të marrë në pyetje ishin poliglotë, ndërsa 22 për qind e deklaruan veten bilingualë.

Por cilët nuk flasin gjuhë të huaja në BE?

Shumica e nxënësve, tetë nga dhjetë, në nivelin fillor të shkollimit në Hungari, Bullgari, Austri dhe Irlandë studionin vetëm një gjuhë të huaj në vitin 2014.
Kjo është ndryshe nga pjesa tjetër e BE-së, ku 60 për qind e atyre në nivel fillor po mësonin dy gjuhë të huaja ose më shumë. Të dhënat gjuhësore të Hungarisë, Bullgarisë dhe Irlandës u mbështetën nga një studim i vitit 2011. Në Bullgari, 61 për qind e personave që u përgjigjën thanë se nuk flisnin gjuhë të huaja; e njëjta përqindje në Irlandë ishte 72.7 për qind dhe në Hungari 63.2 për qind.
Por Austria doli më mirë, ku vetëm një nga pesë personat që u morën në pyetje thanë se nuk mund të flisnin një gjuhë të huaj. Bullgaria bën kontrast me Rumaninë fqinje, ku 95.6 për qind e nxënësve në shkollë fillore mësojnë dy ose më shumë gjuhë të huaja.

Cilat janë gjuhët e huaja më popullore?

Anglishtja vazhdon të dominojë, me 97.3 për qind të përfshirjes në programin e shkollave fillore, sipas të dhënave të vitit 2014, nga 96.7 për qind në dy vitet e mëparshme.
Frëngjishtja është gjuha tjetër më e studiuar, 33.7 për qind, pasuar nga gjermanishtja 23.1 për qind dhe spanjishtja 13.1 për qind. Rusishtja është e vetmja gjuhë që studiohet në vendet e Europës, por që nuk u përket gjuhëve europiane. Është e dyta gjuhë e huaj më e studiuar, pas anglishtes në vendet ish-sovjetike si Estonia, Lituania dhe Letonia.
Rreth 500 mijë nxënës në fillore mësojnë rusisht në BE, ku shifrat po rriten në Finlandë, Sllovaki dhe Republikën Çeke, por po ulen në Lituani, Letoni dhe Poloni.

*Burimi: Euronews

Pin It