Amerikania e parë që do të garojë me shami në Olimpiadë

muhamad-1Risia – Sportistja myslimane, Ibtihaj Muhammad, konsiderohet si frymëzimi i të rinjve të komunitetit të saj. Një nga më të talentuarat e SHBA-së, 30-vjeçarja mes mijëra syresh ka një fans tepër të veçantë, Presidentin e SHBA-së, Barack Obama

Ende nuk e ka fituar një medalje në Olimpiadë, e prapëseprapë skermistja Ibtihaj Muhammad ka hyrë në historinë e SHBA-së. Sportistja 30-vjeçare nga Nju Xhersi do të jetë e para shtetase nga SHBA, që do të garojë në Lojërat Olimpike të radhës në Rio de Zhaneiro duke mbajtur veshur një shami. Muhammad-i ka lindur në qytetin e Maplewood-it dhe është edukuar nga familja e saj me normat dhe zakonet e fesë myslimane. Gjithashtu, ajo është një praktikante e devotshme e kësaj feje. Ditët e fundit kanë qenë mjaft interesante për sportisten amerikane. Javën e kaluar, ajo ishte një prej atleteve që u vlerësua me çmim gjatë Kampionatit të Botës të organizuar në Athinë. Afrikano-amerikania fitoi medaljen e bronzit. Mediat i kushtuan jo pak vëmendje si suksesit, ashtu edhe veshjes së saj. E sikur kjo të mos mjaftonte, Presidenti Barack Obama i kërkoi përpara të gjithëve që ajo t’i sillte medalje Amerikës. Njeriu më i fuqishëm i botës për herë të parë vizitoi një xhami në Baltimorë, duke treguar se qëllimi i tij është paqja dhe se ai i konsideron si pjesë të rëndësishme të SHBA-së, edhe amerikanët myslimanë. Këta të fundit janë mjaft të paragjykuar pas sulmeve të 11 shtatorit. Një nga të ftuarit e këtij aktiviteti historik ishte edhe Ibtihaj. Talenti i saj nuk i shpëtoi as Obama-s. “Na e sill atë medalje ari…mos u ndiej në presion, por ne jemi në pritje”, – deklaroi gjatë fjalimit kreu i shtetit, duke i dhënë kurajë skermistes. Në të shkuarën, Ibtihaj-i ishte përzgjedhur për tre vjet si një nga sportistet më të mira nga Duke Unviersity. Për më tepër që ajo angazhohet mjaft në komunitet si një lidere ndër besimtarët e fesë islame. Ndërsa debati për myslimanët dhe fenë islame është një nga më të nxehtit në SHBA, sportistja 30-vjeçare bashkë me figura të tjera të njohura të komunitetit, shikohen si njerëzit të cilët do të shpëtojnë të gjithë besimtarët e tjerë nga damka si terroristë dhe të paintegrueshëm në sytë e Amerikës tjetër. Pikërisht ky shqetësim ishte edhe tema të cilën Presidenti Obama vendosi që të trajtohet në tavolinën e mbledhur me liderët e komunitetit mysliman të vendit. E ftuar ishte edhe sportistja e talentuar.

Perceptimi

Ibtihaj-i ka fituar zemrat e komunitetit dhe amerikanëve me talentin që zotëron. Megjithatë, ajo shpreson që forca e fjalëve të saj të mund të largojë atë paragjykim që ekziston aktualisht për myslimanët amerikanë. “Në kohët e sotme, është një luftë e vërtetë që ti të jesh një grua myslimane. Madje të gjithë besimtarët e komunitetit në vendin tonë po kalojnë momente mjaft të vështira. Jam e mendimit se ne jemi në një udhëkryq delikat. Por situata mund të përkeqësohet shumë në të ardhmen”, tregon skermistja për televizionin CNN. Shqetësimi i saj është se nëse retorika negative karshi myslimanëve nuk ndryshon, atëherë incidentet vdekjeprurëse do të shtohen edhe më shumë. E tillë ishte edhe ngjarja e rëndë që ndodhi në Chapel Hill, ku tre studentë të komunitetit islam u qëlluan me armë nga komshiu i tyre në shkurt të vitit 2015. Për shumicën e komunitetit mysliman në SHBA, ky nuk ishte gjë tjetër veçse një krim i ndikuar nga urrejtja ndaj tyre.

Amerikane krenare

Në atdheun e saj, ajo konsiderohet si një sportiste mjaft e talentuar. Ibtihaj-i shprehet me shumë emocion se ndihet e nderuar që përfaqëson jo vetëm ëndrrat e saj, por edhe ato të të gjithë amerikanëve të tjerë anembanë botës. Dëshira më e madhe e atletes është që të shndërrohet në një model për sportistët e ardhshëm, sidomos ata, feja e të cilëve është islame. “Ka shumë sportistë afrikano-amerikanë. Por për momentin mua nuk më shkon në mendje emri i një gruaje myslimane, të cilët mund ta shikoj e të them se ky është frymëzim si sportiste për të rinjtë”. Gjatë kohës që punonte fort për t’u bërë edhe më e zonja, atletja e talentuar tregon se burimi i frymëzimit të saj ishin motrat Williams, të cilat kanë dominuar në sportin e tenisit.

Paragjykimi

Por që të mund të përmbushte ëndrrën e saj, Ibtihaj-i e pranon se pengesat kanë qenë jo të pakta. “Në komunitetin mysliman, mbizotëron ideja se ti duhet që të bëhesh doktor, ose avokat. Sportiste as që mendohet”. Ajo për herë të parë nisi të ushtrohej në skermë kur ishte 13 vjeçe. Nga ajo ditë kujton se e ëma që e shoqëroi në stërvitje, tërhoqi jo pak vëmendjen e shokëve dhe shoqeve të klasës, sepse ishte e mbuluar. Sportistja myslimane kujton se kur ajo u njoh me këtë disiplinë, pati përshtypjen se skerma ishte një sport plotësisht i dominuar nga të bardhët. “Njerëzit me ngjyrë nuk ushtroheshin në skermë, ashtu si edhe myslimanët. Por unë e kisha shumë të qartë në mendjen time që më shumë se çdo gjë, dëshiroja që të isha pjesë e skuadrës kombëtare të SHBA-së në skermë. Kujtoj që skuadra nuk ishte e përbërë nga etni të ndryshme. Duke qenë një femër myslimane afrikano-amerikane, unë mund të jem ndryshimi i duhur”. Ibtihaj-i do të jetë gruaja e parë myslimane që do të përfaqësojë SHBA-në në lojërat olimpike në Rio de Zhaneiro në gushtin e ardhshëm në disiplinën e skermës. Ajo po stërvitet shumë që t’u tregojë bashkëkombësve të saj se e ka në zemër flamurin amerikan po aq sa ata dhe të ndryshojë për mirë opinionin, që aktualisht po mbizotëron në publik. Rrugëtimi i saj konsiderohet si shembull i mirë për të gjithë sportistët e rinj, ashtu edhe të komuniteteve e besimeve të tjera. Mesazhi është i qartë: me shumë punë ata mund të realizojnë ëndrrat e tyre dhe t’i tregojnë botës se sa specialë janë.

Burimi: CNN

muhamad-2  muhamad-4 muhamad-5 muhamad-6muhamad-3

Pin It