Dogana “online”

doganatBizneset do të kenë mundësi të bëjnë “online” deklaratat doganore, pa u paraqitur fizikisht në degët e doganave.

“Kjo do të na çojë edhe në shmangien e takimit të drejtpërdrejtë të operatorëve ekonomikë me doganierët, që sigurisht do të na sjellë si përfitim uljen e korrupsionit”, tha drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Pranvera Fagu.

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave ishte në një takim me Dhomën Amerikane të Tregtisë, ku dëgjoi jo pak shqetësime nga biznesi, disa prej të cilave të hershme.

“Do të regullohet njëherë e përgjithmonë aplikimi i çmimeve të referencës, jo në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor”, tha Alketa Uruçi, nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Por veç referencave, bizneset u kërkuan drejtuesve të doganës që t’i kompesojnë për një padrejtësi, atë të pagesës dyfish të skanimit.

“Po kush mban përgjegjësi për pagesën dy herë, nga ana e biznesit, të kostos së skanimit? Dikush duhet të mbajë këtë përgjegjësi. Përse duhet të jetë biznesi, ai që duhet të paguajë për një gabim të tillë?”, pyeti Bardha Dibra, DAT.

“Sa i përket shqetësimit që keni për pagesat, të cilat ligjvënësi nuk i kishte parashikuar për 2015-n, mendoj se, ndoshta me kërkesën tuaj mund të bëhet një nismë ligjore”, tha Ilir Mino, Drejtoria e Doganave.

Për shkak të një gabimi në marrëveshjen me “Rapiscan”, për disa muaj me radhë nga hyrja në fuqi e kontratës, mijëra biznese u detyruan të paguanin dy herë për skanimin e detyrueshëm, një herë në kufi dhe një herë në doganën lokale.

Ndonëse qeveria e amendoi kontratën më vonë, duke e hequr pagesën dyfishe, bizneset nuk u kompesuan.

Pin It