Marrëveshja me Italinë, lehtësim për biznesin në doganë

vula

Italia do të rrisë investimet e saj në Shqipëri duke ndihmuar sipërmarrjet italiane në territorin shqiptar. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Industrialistëve Italianë në Shqipëri.

Marrëveshja u firmos nga Kreu i Administratës Doganore Belinda Ikonomi, dhe Presidenti i Confindustria Albania Donato D’Agostino.

Marrëveshja synon të kontribuojë në lehtësimin e procedurave për bizneset dhe nxitjen e investimeve. Përmes saj do i sigurohet mbështetje në çdo aspekt bizneseve të asociuara në shoqatë, si dhe do të shtohen investimet nga Italia në drejtim të Shqipërisë.

“Sot po bëjmë në Shqipëri atë që kemi bërë një vit më parë në Itali. Para një viti nënshkruam me administratën italiane një marrëveshje të njëjtë për t’i ardhur në ndihmë bizneseve. Është marrëveshja e parë që bëjmë me Qeverinë Shqiptare dhe që ka për qëllim asistimin e sipërmarrjeve. Sipërmarrjet italiane në territorin shqiptar importojnë lëndë të parë, eksportojnë produkte të përfuduara, importojnë pajisje e makineri. Kjo marrëveshje me doganat për bizneset tona është shumë e rëndësishme për të garantuar mbarëvajtjen e punës së kompanive” u shpreh Presidenti i Shoqatës së Industrialistëve Italianë në Shqipëri.

Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Doganor pritet të hidhet një hap tjetër në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Pin It