Kriza politike në Maqedoni, skadon mandati i Gruevskit. Pritet vendimi i Presidentit dhe BDI-së

zoran-zaev-nikola-gruevski-foto-reuters-foto-beta-ap-1428358121-635783

Mandati për formimin e qeverisë së re në Maqedoni pritet t’iu kalojë Social Demokratëve pas skadimit të afatit të Nikolla Gruevskit për ndërtimin e qeverisë. Presidenti Giorge Ivanov duhet t’i kalojë mandatin Zoran Zaevit nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, për të formuar një koalicion për qeverinë e re, pas dështimit të bisedimeve mes liderit të VMRO-DPMNE dhe partive të tjera.

Nëse presidenti mandaton Zoran Zaev dhe ai nuk arrin të formojë qeverinë e re, atëherë vendi detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja.

Nëse presidenti nuk ia kalon mandatin Zoran Zaev por jep dorëheqjen, sipas ekspertit të së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti, kryetari i Kuvendit duhet të mbledhë deputetët e Kuvendit të Maqedonisë dhe të shpallin zgjedhje presidenciale dhe parlamentare.

Ndërkohë, Maqedonia është në prag edhe të zgjedhjeve lokale, pasi mandati i kryetarëve të komunave skadon në mars të këtij viti.

Afati i gruevskit për formimin e qeverisë së re maqedonase skadoi të hënën në mesnatë, pasi Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk doli me një vendim përfundimtar në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në qeveri.

Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani u tha gazetarëve para selisë së partisë në Tetovë se BDI nuk mundi të marrë vendim për asnjë prej pesë opsioneve të bëra publikë ditë më parë. Pesë opsionet të cilat i kishte theksuar BDI-ja ishin: pjesëmarrja në koalicion me VMRO-në, koalicion me LSDM-në, një qeveri teknike, mbetja në opozitë dhe zgjedhje të reja.

“Nuk pati argumente të mjaftueshëm për marrjen e një vendimi” tha ai, duke shtuar se diskutimet brenda partisë ishin mjaft konstruktive dhe se vendimi ishte i njëzëshëm. Ai tha se në ditët në vazhdim do të mbahen bisedime me partitë lidhur me formimin e qeverisë së re që duhet të pasojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.

Bashkimi Demokratik për Integrim pritet të marrë sot vendimin përfundimtar nëse do të marrë pjesë në pushtet.

“Nuk kam përgjigje me cilin do të jemi në koalicion. I analizojmë të gjitha opsionet për vendimin më të mirë në dobi të shqiptarëve dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim nëse janë shqiptarë, maqedonas, serbë, romë apo vllehë. Diskutojmë për të gjitha opsionet”, theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

 

Pin It