Zaev merr mandatin nga presidenti maqedonas për të formuar qeverinë

Më në fund, Gjorge Ivanov u dorëzua përpara presioneve të brendshme e atyre ndërkombëtare. Pas zhytjes së vendit në një krizë të thellë politike dhe ecejakeve të politikanëve europianë e amerikanë në Shkup, kreu i shtetit maqedonas u bind t’i dorëzonte udhëheqësit të opozitës, Zoran Zaev, mandatin e formimit të qeverisë.

Ivanov deklaroi se pengesat për dhënien e këtij mandati tashmë ishin larguar dhe pret nga njeriu që do të krijojë ekzekutivin, përmbushjen e detyrimeve kushtetutese.

“Pengesat për dorëzimin e mandatit qeverisës tashmë janë mënjanuar. Sot po përmbushim nenin 84 alineja 1, nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, i cili parashikon dhënien e mandatit për krijimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, e cila ka shumicën në Kuvendin e Maqedonisë, ka propozuar si kandidat zotin Zoran Zaev”, tha Ivanov.

Merr fund kështu saga disamujore e krijimit të ekzekutivit në Maqedoni, e bashkë me të edhe boshllëku qeverisës i krijuar pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit. Zaev e pranoi mandatin, ndërsa garancitë e dorëzuara me shkrim presidentit i bëri publike edhe për opinionin.

“Edhe njëherë dua të theksoj përpara të gjithëve se pengesat për dhënien e mandatit tashmë janë kapërcyer. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e kishte dorëzuar letrën e tij, ndërsa unë, ashtu siç premtova përpara qytetarëve dhe presidentit Ivanov, paraqita një deklaratë në formë garancish, të cilën e ndaj me qytetarët e Republikës së Maqedonisë, njësoj siç është dorëzuar në Kabinetin e Presidentit”, tha Zaev.

Zaevi i kishte dërguar dy herë letër kreut të shtetit, duke e siguruar se do të ruhet karakteri unitar i vendit, sovraniteti, tërësia territoriale dhe karakteri shumetnik, i cili ishte edhe kushti i presidentit maqedonas që nga shpallja e shumicës së re parlamentare para pak muajsh.

Kreu i LSDM-së ka tani 20 ditë afat për krijimin e kabinetit qeveritar dhe dorëzimin e programit qeverisës përpara ligjvënësve në Parlament. Partitë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët janë të sigurta se do të jenë pjesë e koalicionit të ri qeveritar, ndërsa Lëvizja Besa ende nuk e ka shprehur qëndrimin e saj përfundimtar. Pa këtë të fundit, shumica parlamentare ka 62 vota në Parlament, të mjaftueshme për miratimin e ekzekutivit.

Pin It