Portali e-Albania lehtëson procedurën e marrjes së certifikatave

Lehtësimi i ndjeshëm i procedurave burokratike në zyrat e gjendjes civile ka reduktuar radhët dhe ka sjellë kursim kohe dhe parash për qytetarët.

Përmes lëshimit të certifikatave online në portalin e-Albania është reduktuar fluksi i njerëzve që paraqiteshin më parë në njësitë administrative për të marrë këto certifikata.

Më parë qytetarëve iu duhej të rrinin 2-3 orë në radhë për të marrë shërbimin e kërkuar. Ndërsa sot përmes protalit e-Albania kushdo qytetar shqiptar brenda ose jashtë vendit mund të aplikojë vetë për tu pajisur me certifikate personale ose familjare pa pasur nevojë të shkojnë në gjendjen civile duke mos humbur kohë duke pritur në radhë si dikur.

Kryeministri Edi Rama i uron mirëmëngjes ndjekësve të tij në rrjetin social Facebook me një video ku prezantohet si ka qenë shërbimi i marrjes së certifikatave dje në sportelet e gjendjes civile dhe si mund të merret sot online.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të radhëve në zyrat e gjendjes civile dje dhe lehtësisë për tu pajisur me një çertifikatë sot, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Qeveria në mbledhjen e saj të parë në datën 13 shtator 2017 vendosi që certifikatat personale dhe ato familjare tashmë mund të tërhiqen online. Vendimi synon që ky shërbim të funksionojë online duke reduktuar radhët dhe burokracitë institucionale.

Përmes kartës së identitetit, qytetarët mund të printojnë certifikata online dhe dokumente të tjera në 24 orë.
Të dhënat zyrtare përpara këtij vendimi tregonin se në një vit, në këto sportele tërhiqeshin 4.5 milionë certifikata, numër më i lartë se vendet e rajonit dhe ato fqinje./ATA/

Pin It