Nis censusi i adresave, 6 muaj afat për regjistrim

rruget

Censusi për regjistrimin e adresave nisi ditën e hënë dhe do të vijojë deri në 31 mars. Gjatë kësaj periudhe dy kompani shqiptare dhe një e huaj do të trokasin në çdo derë për të regjistruar adresën e saktë të çdo shtetasi brenda territorit shqiptar.

Drejtoria e Gjendjes Civile dhe OSHEE të cilat hasin shpesh problemin e mungesës së adresave, përmes një tenderi ndërkombëtar përzgjodhën 3 kompani për të verifikuar në terren dhe për të regjistruar adresat. Deri tani projekti është zbatuar si provë në Tiranë e Durrës, ndërsa këtë javë po aplikohet në të gjithë Shqipërinë.

“Sot jemi në procesin e implementimit në terren ku bashkimi i operatorëve ekonomikë të shpallur fitues ka filluar trokitjet derë më derë, pas mbarimit të një projekti pilot dhe përgatitjes së infrastrukturës së nevojshme për këtë proces, verifikimin e çdo shtetasi dhe për ta lidhur me banesën reale dhe jo virtuale ku banon. Parashikon të përfundojë brenda 31 marsit”, u shpreh Bledar Doracaj, kreu i Drejtorisë së Gjendjes Civile.

Nëse qytetarët nuk regjistrojnë adresat e tyre të sakta, pas 6 muajsh ligji i ri për Gjendjen Civile parashikon gjoba me vlerë 3 mijë lekë.

“I bie që fundi i muajit korrik të jetë fundi i amnistisë. Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që t’u drejtohen sporteleve të Gjendjes Civile për të bërë ndryshimet e nevojshme në adresa, sepse pas muajit korrik, penaliteti do të jetë 3.3 herë më i lartë. Të gjithë ata persona, me qira apo pa qira, me certifikatë pronësie apo dokument nga ALUIZNI, janë të lutur të shkojnë dhe të regjistrohen atje ku jetojnë”, thotë ai. Sipas të dhënave të regjistrit të zgjedhësve, rezultojnë 301 mijë 713 votues me adresë të panjohur, numri pritet të reduktohet pas censusit.

Pin It