Dermatoza nodulare, kompensimi i fermerëve deri në fund të shkurtit

lopa

Fermerët që pësuan dëme nga sëmundja e dermatozës nodulare, e cila preku gjedhët, do të kompensohen për kafshët e humbura në fund të muajit shkurt. Ministria e Bujqësisë njoftoi se kjo sëmundje ka kaluar tashmë dhe se fermerët do të kompensohen për çdo kafshë të regjistruar si të dëmtuar nga dermatoza.

“Tashmë, ne e kemi mposhtur virusin e dermatozës nodulare dhe nuk kemi asnjë rast të ri”, tha për ATSH-në, drejtori i Shërbimit Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë, Edi Ferro.

Sipas tij, vaksinimi i gjedhit dhe kontrolli rigoroz në të gjitha fermat e vendit ndihmuan për vënien nën kontroll të dermatozës nodulare.

Ferro deklaroi se MB ka hartuar një plan për kompensimin e fermerëve dhe kafshët që do të zëvendësohen janë porositur në Danimarkë dhe janë edhe me cilësi rracore më të mirë sesa kafshët e dëmtuara.

Sipas tij, kafshët që do të vijnë nga Daminarka do të mbahen në regjim karantine, e cila do të jetë pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë dhe deri në fund të muajit shkurt pritet që ato të mbërrijnë, për t’u shpërndarë më pas në të gjithë vendin, aty ku ka pasur të dëmtuara nga dermatoza.

Pin It