Populizmi dhe Radikalizmi në Edicionin e 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri

Edicioni i Dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri – IHRFFA, tashmë një ngjarje me rëndësi jo vetëm për qytetin e Tiranës por dhe një nga eventet më të rëndësishme kinematografike që zhvillohen në Shqipëri, do të zhvillohet nga datat 18- 23 Shtator 2017.

Nëse vitet e kaluara Festivali ishte i fokusuar tek krimi i organizuar dhe korrupsioni apo migracioni, këtë vit aktiviteti vjen me një tematikë të mprehtë që në fokus do të ketë Populizmin dhe Radikalizmin. Edicioni i 12-të i IHRFFA ka shënuar këtë vit një shifër mbresëlënëse prej 3000 aplikimesh nga të cilat bordi profesional ka përzgjedhur 39 prodhime, disa prej të cilëve me çmime nëpër festivale të ndryshme të botës.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, i cili organizohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” hyn në edicionin e 12-të, me çeljen e siparit të hënën në mbrëmje, ora 19.00 me Ceremoninë hapëse dhe shfaqjen filmit të parë “Dugma: The Button” të regjisorit norvegjez Pal Refsdal.

Regjisori Kujtim Çashku, i angazhuar në këtë sfidë, jo vetëm për të ngritur strukturën e një festivali për të Drejtat e Njeriut, por dhe për ta bërë Shqipërinë pjesë të hartës ndërkombëtare ku flitet për këto çështje, bashkë me bordin përzgjedhës sjellin këtë vit një numër mbresëlënës të ftuarish: Zaki Schiff nga Izraeli, Pål Refsdal nga Norvegjia, Andrea D’Ambrosio nga Italia, Hans Busstra nga Hollanda, Gabriel Tempea nga Rumania, Thomas Isler nga Zvicra, Elton Baxhaku dhe Eriona Çami nga Shqipëria, Angelique Kourunis Greqia, Martin Gerner nga Gjermania, Veton Nurkollari, Isa Qosja, Mathieu Jouffre dhe Besa Luçi nga Kosova.

“Ashtu si çdo vit, edhe në këtë edicion kanë ardhur një numër i madh filmash nga vende të ndryshme të botës, që na japin mundësinë, në të njëjtën kohë, të zbulojmë kahjet apo dinamikat, se ku lëviz ajo që ne e quajmë, dhuna, terrori, apo shkelja e të drejtave të njeriut.

Në një Festival të tillë, këto problematika bëhen më të dukshme, pasi ti ke një pasqyrë më të gjerë në rang botëror. Kjo na mundëson ne, që vazhdimisht të qëmtojmë se cila do të jetë tema

specifike që do të zgjedhim për Festivalin, në funksion të së cilës do të operojmë. E për këtë, na duhet një punë njëvjeçare që të hulumtojmë në mënyrë graduale se cili është krimi më

prezent në shumatoren e vet në këtë peizazh botëror” thotë regjisori Çashku.

Një nga surprizat e këtij edicioni që do të zgjasë plot një javë është padyshim zgjerimi i rrjetit të vendeve ku do të shfaqen filmat e përzgjedhur. Përveç Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, si dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, filmat do të shfaqen edhe në Akademinë e Sigurisë, Qendrën Multifunksionale TEN, instalacionin REJA pranë Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Sheshin Skëndërbej.

Nisur nga problematika dhe interesi gjithmonë në rritje i shoqërisë për të mësuar dhe diskutuar rreth temës së këtij viti, organizatorët e Festivalit i kanë dhënë më shumë hapësirë forumeve dhe diskutimeve me publikun. Gjatë ditëve të Festivalit janë parashikuar disa aktivitete të rëndësishme:

Së pari Forumi në Universitetin Evropian të Tiranës mbi Radikalizmin dhe Fondamentalizmin, ditën e martë 19.09.2017, pas shfaqjes në orën 12.00 të dokumentarit “Jihad-A story of the others” të regjisorit Deeyah Khan;

Ditën e mërkurë, 20.09.2017, ora 11.00 me një shfaqje speciale me 40 gra të privuara nga liria të Burgut 325 të cilat do të vijnë në ambientet e Akademisë Marubi për të ndjekur dokumentarin “Home” të regjisores More Raça, dhe më pas do të marrin pjesë në forumin për “Dhunën në familje”;

Gjithashtu të mërkurën, 20.09.2017, ora 18.00, në qendrën TEN në bashkëpunim me Universitetin POLIS shfaqet dokumentari “Selita” i Elton Baxhakut dhe Eriona Çamit dhe më pas vijohet me diskutimin me temë “Planifikimi urban”;

Duke qenë se për drejtuesit e Festivalit mbetet prioritet fokusimi dhe përfshirja gjithnjë e më e madhe e të rinjve, në subjektet që trajtojnë filmat, është menduar që ditën e enjte 21.09.2017,ora 12.00, në sallën e kinemasë Marubi në bashkëpunim me gjimnazin “Sami Frashëri” të shfaqet filmi “The girl of 672K” dhe të vijohet me një debat me nxënësit me temë: Komunikimi virtual;

Ditën e premte 22.09.2017, ora 11.00, në Akademinë e Sigurisë shfaqet dokumentari “Cyberjihad / Xhihadi Kibernetik” i Hans Busstra dhe vijohet me debatin me temë krimin kibernetik;

Bordi i festivalit IHRFFA uron dhe shpreson që filmat e përzgjedhur këtë vit do të përcjellin rëndësinë e këtyre çështjeve dhe do të nxisin diskutime dhe debate edhe më të gjera për

publikun shqiptar. Bordi i IHRFFA falenderon për bashkëpunimin dhe mbështetjen e madhe të gjithë partnerët e angazhuar, veçanërisht OSBE, Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit, Arkivin Qendror të Filmit, Ambasadën Zviceriane, Agjencinë Austriake për Zhvillim, etj./ATA/

Pin It