Presidenti Meta refuzon të dekretojë ligjin antishpifje, ja kthen për rishqyrtim kuvendit

Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, së fundmi ka refuzuar të dekretojë ligjin “antishpifje” të miratuar disa javë më parë nga mazhoranca duke ja kthyer atë sërish Kuvendit të Shqipërisë për rishqyrtim.

Kujtojmë se ky ligj është kritikuar mjaft nga gazetarët vendas, por edhe nga disa prej ambasadave të huaja në Tiranë.

Sipas Presidentit Meta, ky ligj shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik, të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit.

“Kjo gjendje censure krijohet përmes aplikimit të masave ndëshkuese jo proporcionale që këto dispozita parashikojnë, masa që mund të vlerësohen dhe vendosen nga organe administrative, të cilat në kundërshtim të hapur me rendin e brendshëm kushtetues dhe ligjor, u jepet fuqia që t’i vënë në ekzekutim të menjëhershëm këto masa, përpara se të ketë një vendimmarrje përfundimtare dhe të formës së prerë mbi ligjshmërinë e tyre.

Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurtë ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese dhe shproporcionale që parashikon ligji i miratuar.

Këto mekanizma jo proporcionalë të forcës ndëshkuese që përmbajnë ndryshimet ligjore të miratuara, krijojnë hapësirë që ato të aplikohen përkundrejt mediave on line që janë kritike me punën e qeverisë. Kjo e fundit përmes përfaqësuesve të saj në organet vendimmarrëse dhe kompetencave që këto organe marrin, ka të gjitha mundësitë të shfrytëzojë këtë bazë ligjore që lejon interpretim subjektiv, të ndëshkojë në mënyrë të padrejtë çdo media e cila nuk i përshtatet vullnetit politik të shumicës.

Ky realitet do të prodhonte frikësimin dhe autocensurën, mbylljen apo pezullimin me pa të drejtë të mediave elektronike, duke ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, ç’ka do të prodhonte furnizimin e publikut me fakte ndryshe nga realiteti, që jo vetëm keq orientojnë shoqërinë në kërkimin e të drejtave të tyre, por dhe në përmbushjen e përgjegjësive qytetare për ndërtimin dhe ruajtjen e vetë demokracisë”- thuhet në dekretin e z. Meta.

Pin It