“Prishtina International Theater Festival”, nga 16-21 tetor me pjesëmarrjen e trupave teatrore të rajonit

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, do të zhvillojë edicionin e parë në 16-21 tetor në Prishtinë me pjesëmarrjen e trupave teatrore të vendeve të rajonit.

Gjatë ditëve të këtij festivali me profil ndërkombëtar, përveç afrimit të teatrove, ai mundëson dhe afrim kulturor. Karakteri garues i tij ka edhe frymën e garimit kulturor në fushën e teatrit.

Në festival do të marrin pjesë trupa teatrore e Kroacisë me pjesën teatrore, “Dhe jetuan të lumtura…?” , Bullgaria me “Shërbëtoret”, Shqipëria me “Vdes siç vdes një vend”, Irani me “Speak medea”, Maqedonia me “Darka e Thërrimeve”, Kosova me “Armiku i Popullit dhe Kroacia me “Shenjtorja e errësirës”.

Drejtoresha artistike e Festivalit, Burbuqe Berisha, bën të ditur se po bëhen përgatitjet përfundimtare për fillimin e festivalit dhe se gjithçka është pothuaj e gatshme për datën 16 tetor, kur do të jetë hapja zyrtare.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, u themelua në hapësirat e Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në qershor të vitit 2017. Edicioni i parë i këtij Festivali, po mbahet me moton: “Mos pyet çka shteti mund të bëjë për ty, por çfarë ti mund të bësh për shtetin…” . Sipas organiztaorëve pritet që ky festival të shndërrohet në manifestim tradicional dhe origjinal.

Drejtor i Festivalit është Ilir Tafa, drejtore artistike është Burbuqe Berisha, ndërsa koordinatorë të Festivalit janë Zija Rexhepi, Ema Andrea, Mimoza Doko dhe Zijad Mehiç./Kosovapress

Pin It