Punësimi në Gjermani, certifikohen 350 infermierë

Hofman

Oferta për punësim të sigurt dhe ligjor në Gjermani, ka sjellë ulje të numrit të personave që kërkojnë azil në këtë shtet. Ambasadori Gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman, u shpreh i kënaqur nga ky fakt. Ai tha se shqiptarët janë kthyer në një forcë punëtore në vendin e tij. Sipas tij kjo është rruga e vetme e sigurtë për t’u punësuar në Gjermani.

Ligji Lehtësirat ligjore për punësim në Gjermani kanë ulur valën e azilantëve, që u vu re në dy vitet e fundit. Ambasadori gjerman në vendin tonë bëri këtë konfirmim, në ceremoninë e certifikimit të rreth 350 të rinjve shqiptarë, të trajnuar këtu nga kompani gjermane për të punuar në Gjermani. “Unë ndihem i impresionuar që shoh përfaqësues të rëndësishëm të sipërmarrjes gjermane këtu. Përse duhet të shkojmë larg, kur i kemi mundësitë krejt afër Gjermanisë? Pse duhet të shkojmë të shikojmë në drejtim të Azisë, kur kemi mundësi të rekrutojmë këtu punonjës, që jemi jo më larg sesa një orë fluturim larg Mynihut. Këtu kemi të bëjmë me njerëz tepër të zellshëm dhe punëtorë. Në mënyrë të veçantë gratë janë realizuese dhe zbatuese të një pune mjaft të rëndësishme. Burrat përgjithësisht japin mbështetjen e tyre, jo më tepër se kaq”, tha ambasadori Helmut Hoffman.

Liberalizimi i tregut Çdokush mund të punojë në Gjermani, tashmë që ky shtet ka liberalizuar tregun e punës. Por atij që ka një zanat i garantohet më shpejt kjo mundësi. “Ky është një projekt shembull. Gjermania ka lehtësuar eksesin në tregun e punës për shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, përmes procedurave ligjore. Është edhe në interes të punëdhënësve që kanë mundësi të gjejnë kuadro  specializuar dhe të kualifikuar”, ­ tha ambasadori gjerman, Helmut Hoffman. Këto deklarata ambasadori gjerman i bëri gjatë ceremonisë së certifikimit të 350 infermierëve të cilët kanë përfunduar kurset e trajnimit profesional dhe të gjuhës gjermane. Këta infermierë kanë mundur ta marrin dëshminë e kualifikimit dhe të negociojnë tashmë kontratën për një vend pune të sigurt në Gjermani.

Pin It