Rama: Raporti strategjik me SHBA do të forcohet, mikja e Shqipërisë dhe e Kosovës nuk ia doli

14940118_10154156456151523_6160347539158106421_o

Kryeministri Edi Rama ka uruar presidentin e sapozgjedhr të SHBA, Donald Trump për fitoren në krye të Shtëpisë së Bardhë. Në një postim në FB, ai tha se populli amerikan bëri zgjedhjen e tij dhe se mikja e madhe e Shqipërisë dhe Kosovës, Hillary Clinton nuk ia doli dot.

“Populli amerikan bëri sot zgjedhjen e tij. Një mike e madhe e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, Hillary Clinton nuk i’a doli dot të behet Presidentja e parë grua në historinë e Shteteve të Bashkuara. Kundërshtari i saj, Donald Trump, u zgjodh Presidenti i dyzetepestë i SHBA, duke e bindur Sovranin të votojë alternativën e tij pas një debati të pazakonshëm brenda e jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkruan Rama.

Kryeministri shprehet i bindur se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara jo vetëm që nuk cënohen, por do të forcohen edhe më tej.

“Duke i uruar Presidentit Trump fitoren dhe të gjithë suksesin që amerikanët dhe miqtë e partnerët e SHBA i urojnë atij vendi të madh, kam bindjen se marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara do të vijojë të forcohet në funksion të vlerave e të interesave të përbashkëta, të cilat e bëjnë Shqipërinë një mik e aleat të çmuar të popullit e të Qeverisë amerikane”, përfundon shkrimin e tij në rrjetet sociale, Kryeministri Rama.

Pin It