Parashikohen përmbytje në Gjirokastër, Fier dhe Vlorë

permbytjet

Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar përmbytje në jug të vendit. Sipas saj priten përmbytje në Gjirokastër, Fier dhe Vlorë.

Zonat që mund të preken gjatë reshjeve në vazhdim janë:

QARKU GJIROKASTËR
Në zonën e Memaliajt priten përmbytje dhe dalje të ujit mbi urën e Memaliajt.

QARKU FIER
Priten përmbytje të tokës bujqësore dhe prekje të banesave të fshatrave Frakull, Kafaraj, Çervenë.

QARKU VLORË
Priten përmbytje të fshatrave të njësisë administrative, Pishporo, Novoselë, Fitore dhe bashkia Selenicë.

Në qarqet e tjera të vendit situata paraqitet si më poshtë:

QARKU TIRANË
Nga përmbytjet, në Kamëz 110 familje janë larguar përkohësisht nga banesat, në Paskuqan janë evakuuar 40 familje. Ata janë strehuar në palestrën e Shkollës
“Gramoz Palushi” dhe në atë të shkollës “Vëllazërimi” në Babru, në shkollën “Isa Boletini”, Laprakë dhe shkollën “Ramazan Jarani”. Rezervat e Shtetit do të bëjnë furnizimin me set fjetje.

QARKU DIBËR
Në bashkinë Bulqizë në Njësinë Administrative Gjoricë, ka rritje të nivelit të prurjeve të lumit Drini i Zi. Prurjet kanë sjellë dëmtimin e argjinaturës së lumit në një segment rreth 500 m. Kjo rrezikon të sjellë përmbytjen e tokave bujqësore përgjatë lumit Drin, në Njësinë Administrative Gjoricë dhe Luzni, gjithashtu rrezikon edhe disa shtëpi banimi e jetë njerëzish. Përfaqësues të Emergjencave Civile po monitorojnë nga afër situatën dhe po marrin masa për të shmangur pasojat.
Në bashkinë Mat në fshatin German, të Njësisë administrative Komsi, është dëmtuar dhe rrezikon të shembet ura që lidh disa fshatra të kësaj zone. Edhe në fshatin Storjan, janë dëmtuar dy ura druri pasarelë.
Në Njësinë Administrative Derjan, në fshatin Barbullenj, ka patur rrëshqitje masive dherash në një segment rruge, të cilën e ka bërë të pa kalueshme. Kjo rrugë lidh Njësinë Administrative Derjan dhe Lis.
Bashkia Mat, ka organizuar punonjës të saj, për të hapur me mjete këto segmente problematikë.

QARKU LEZHË
Në fshatin Gurrëz të bashkisë Kurbin, u evakuuan 2 familje.

QARKU SHKODËR
Në qarkun Shkodër nga përmbytje janë nën ujë rreth 360 ha tokë. Zonat më të prekura janë njësitë Administrative Dajç, Guri i Zi, Vau Dejës, Ana Malit, Postribë.
Ndërkohë janë marrë masat nga strukturat e emergjencave pranë kësaj Bashkie në bashkëpunim me strukturat e FNSH për të bërë evakuimin e disa familjeve.
Në Njësinë Administrative Bërdicë, ka mungesë të energjisë elektrike në të gjithë njësinë.
Në Njësinë Administrative Shosh, janë dëmtuar ura e Brashtës, Pep-Sumaj, si dhe urat këmbësore Nicaj e Palaj janë dëmtuar.
Gjithashtu edhe në njësinë Administrative Pult, janë prishur dy ura ajo e Boxhsit dhe e Mgullës nuk kalohet në fshatrat Plan, Xhan, Bruçaj.
Në Njësinë Administrative Ana e Malit nuk ka energji elektrike në 75% të zones dhe po punohet për rikthimin e saj. Rruga e Obotit rrezikon të bllokohet.
Në Njësinë Administrative Kelmend është prishur plotësisht ura e Suhes dhe është bllokuar rruga te Gropat e Selcës nga shembja e dheut.

Pin It