Rëndësia e edukatës familjare në Islam

Profeti Muhamed s.a.v.s. ka thënë: “Prej të hollave që i ke shpenzuar në rrugë të Allahut, prej të hollave që i ke shpenzuar për lirimin e robërve, prej të hollave që i ke dhënë për të varfërit dhe prej të hollave që i ke shpenzuar për fa­miljen tënde, shpërblimi më i madh është për ato që i ke shpenzuar për familjen tënde”. [Muslimi]

Nëse shoqërinë e shohim si një trup të vetëm atëherë familja në bazë të këtij hadithi merr rolin e një organi jetësor siç mund të jetë zemra ose mushkëria. Pra Profeti a.s investimin e çdonjërit prej nesh tek familja e ka ngritur në nivelet më të larta të rëndësisë dhe vlerave.

Ndërsa përsa i përket rolit të gruas në familje Islami e ka ngritur atë në gradat më të larta të vlerave dhe repektimit duke i dhënë prioritet si nga aspekti moral edhe nga normatizimi juridik. Profeti Muhamed s.a.v.s. ka thënë: “Më i ploti besimtar me iman është ai që është më i mirë në moral kurse më të sjellshmit prej jush janë ata që janë më të sjellshëm ndaj grave të tyre”. [Tirmidhiu]

Ashtu si fetë hyjnore në përgjithësi edhe Islami e lartëson femrën brenda kufijve njerëzorë për shkak të rolit të saj qënësor në edukimin e brezave. Ndërsa tek marrëdhënia e fëmijës me prindërit Zoti na drejtohet nëpërmjet Kur’anit Fisnik me fjalët : “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (El-Isra; 23-24). Kurse profeti Muhamed na mëson se “Parajsa është nën këmbët e nënës”.  Në aspektin e vlerave morale Islami edhe më tej orienton drejt një ekulibrimi sa më të përkryer të marrëdhënieve njerëzore.

 

Pin It