Restaurohen tre objekte të rëndësishme të besimit islam në Berat

Gjatë vitit 2018 nis zbatimi i disa projekteve të restaurimit, investime të rëndësishme, në tre prej objekteve të kultit në Berat: projekt restaurimi i Xhamisë Mbret, projekt restaurimi i Xhamisë së Beqarëve, projekt restaurimi i Teqesë së Helvetive.

Në mbledhjen e radhës së Qeverisë zhvilluar në Berat, kryeministri Rama shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, koordinatori i TİKA në Tiranë, Necip Özay Özütok, si dhe drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani, u ndalën në xhaminë Mbret në Berat, ku inspektuan dhe morën informacion rreth punimeve të restaurimit.

Ky projekt realizohet nga IMK, në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim TIKA.

Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë së I. Ndërtimi i saj daton në shekullin e XV, dhe vazhdon me disa faza deri në shek. XIX. Xhamia Mbret së bashku me Teqenë Helvetive dhe Konakët e Teqesë përbënin qendrën e qytetit të Beratit në periudhën mesjetare. Projekti i restaurimit të Xhamisë Mbret ka si qëllim kryesor nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij monumenti.

Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në:

– Konsolidimin strukturor të monumentit;

– Restaurimin e çatisë;

– Çlirimin e muraturës nga ndërhyrjet e papërshtatshme me llaç çimento dhe realizimi i suvatimit me teknika dhe materiale tradicionale;

– Konservimin dhe restaurimin e pikturës murale;

– Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavanet, mafili etj;

– Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.

Projekti trajton Xhaminë Mbret dhe Teqenë Helvetive si pjesë e një kompleksi, duke i dhënë shumë rëndësi përfshirjes së punimeve për sistemimin dhe vlerësimin e territorit.

Teqeja Helvetive është ndërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në vitin 1781 dhe mban statusin e Monumentit të Kategorisë së I. Tavani i dekoruar i këtij monumenti cilësohet si një nga tavanet e dekoruara prej druri më të bukura në Ballkan. Ambienti kryesor i monumentit është i dekoruar me pikturë murale si dhe ka një mafil me strukturë druri.

Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në:

– Konsolidimin strukturor të monumentit;

– Restaurimin e çatisë;

– Punime konservuese dhe restauruese të pikturave murale dhe të pikturave në strukturën drusore të mafilit;

– Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavani, mafili etj;

– Restaurimin e dritareve me elementë gipsi dhe xham me ngjyrë;

– Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.

 

3. Xhamia e Beqarëve është ndërtuar nga i biri i Ibrahim Pashë Vlorës, Sulejman Pashë Vlora në vitin 1827. Xhamisë i janë bërë ndërhyrje pas Luftës së Dytë Botërore në vitet ‘40 dhe ’50, ndërsa në vitet 1968 dhe 1978, xhamia i është nënshtruar ndërhyrjeve të thella restauruese. Projekti i restaurimit mbështetet mbi një analizë të thellë historike dhe arkitektonike, duke shfrytëzuar gjithë materialet arkivorë dhe bibliografinë mbi këtë monument. Veçantia e këtij monumenti janë pikturat murale në fasadë, që datojnë në të njëjtën periudhë me ndërtimin e vetë objektit.

Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në:

– Konsolidimin strukturor të monumentit;

– Restaurimin e çatisë;

– Punime konservuese/restauruese të pikturave murale në ambientet e brendshme dhe fasadë;

– Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë;

– Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.

Një marrëveshje bashkëpunimi, e cila u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Skënder Bruçaj i ka hapur rrugën këtij procesi, që parashikon 5 Monumente kulture të besimit islam t’i nënshtrohen ndërhyrjes restauruese.

ATA

Pin It