Rideminsionimi i ndjenjës së bamirësisë

 

Bujaria dhe altruizmi, sakrifica dhe bamirësia, përpjesëtimi i asaj që posedon me nevojtarët, kontribuimi në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë, janë elemente të rëndësishëm në formimin e një shoqërie të lumtur. Ne, përgjithësisht, jemi një popull me të ardhura të pakta. Të ardhurat nën mesatare e detyrojnë njeriun të jetë më dorështrënguar. Nëse kjo vazhdon për një kohë të gjatë, atëherë ridimensionimi i ndjenjës së bamirësisë mund të kthehet në një sfidë të vërtetë. Por drita, që dallohet qartë në zemrat e pastra të shqiptarëve, tregon që kjo ndjenjë asnjëherë nuk është vrarë dhe nuk është varrosur. Atëherë, nëse duam një shoqëri më të plotësuar në të gjitha drejtimet, është e nevojshme që të fitohet në përgjithësi një kulturë e qëndrueshme e të dhuruarit.

Në kulturën islame termi që simbolizon kryesisht bamirësinë materiale është sadakaja (lëmosha) dhe një tjetër më i koncentruar është zekati. Kuptimi leksikor i fjalës zekat është shtim, shumëfishim, pastrim dhe begati; kurse në terminologjinë fetare zekati është një nga pesë bazat e zbatimit të fesë islame, sipas së cilës, çdo person që posedon pasuri në një masë të caktuar është i detyruar të japë një pjesë të saj në ndihmë të nevojtarëve. Kjo masë varion sipas pasurisë, si për shembull, 1/40 e pasurisë në vlera monetare, ose 1/10 apo 1/20 e prodhimeve bujqësore. Pavarësisht se zekati është caktuar si detyrim në vitin e dytë të hixhretit, pra në periudhën e Medinës, mbështetja materiale është një nga nocionet e para dhe më të rëndësishme në historinë islame. Në fakt, po të shkojmë edhe më përpara, do të dallojmë se zekati është një praktikë themelore e zbatuar gjatë gjithë historisë.

Kur’ani tregon se profetët Is’hak, Jakub, Ismail, Shuajb qenë ngarkuar që krahas faljes së namazit, të jepnin edhe zekat. Zekati, ashtu siç është një ndihmë financiare për njerëzit në nevojë, në radhë të parë, është një adhurim porsi namazi, agjërimi dhe haxhi. Është një nga pesë shtyllat mbi të cilat ngrihet godina islame. Njeriu që beson, me anë të zekatit zbaton një urdhër të Zotit, duke fituar sevape për ahiretin. Pronari Absolut i gjithçkaje është Krijuesi i gjithësisë. Ai ka bërë të mundur që persona të caktuar të pasurohen dhe të jenë në një nivel më të lartë material në raport me njerëz të tjerë. Besimtari, duke parë këtë dhunti të Allahut, duhet të kryejë falënderimin e mirësisë me të cilën Ai e ka bekuar. Nëse Allahu i ka dhuruar atij mirëqenie materiale, edhe falënderimi për këtë mirëqenie kryhet duke dhuruar prej saj për hir të Allahut. Ndërkohë që, krahas shpërblimit në botën tjetër, Allahu jep fjalën e Tij të bekuar, se ka për t’ia shtuar pasurinë atij që dhuron. Kështu formohet një rreth begatish, çdo aspekt i të cilit është fitimprurës për besimtarin.

Në më tepër se dyzet vende në Kur’an, zekati përmendet si një urdhër kategorik dhe, në shumë prej tyre, është i shoqëruar me urdhëresën e faljes së namazit. Kjo është shumë kuptimplotë, si për të shprehur detyrueshmërinë e dhënies së zekatit, po ashtu edhe për të theksuar rëndësinë e kësaj vepre. Ndryshe nga pjesa më e madhe e adhurimeve, zekati është një praktikë që ka të bëjë vetëm me pasurinë dhe shpreh një organizim që synon ngritjen e nivelit të gjendjes dhe mirëqenies së të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë. Por, zekati gjithashtu është njëra prej të drejtave të të varfrit mbi pasurinë e të pasurit. Dhe këtë të drejtë është Allahu që e përcakton, pronari i vërtetë i pronës dhe i pasurisë. Në këtë kuadër, ai që e ka fetarisht detyrim zekatin, nuk mund të neglizhojë kryerjen e tij. Ai duhet të bindet se, pavarësisht se sasia e pasurisë gjendet në duart e tij, ajo është e drejta e dikujt tjetër, i cili ka vështirësi që të sigurojë edhe bukën e gojës për veten dhe fëmijët e tij.

Krijuesi, Furnizues e Mëshirëplotë, e ka pajisur botën me plot mirësi e begati. Këto janë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e çdokujt. Por ja që, kur prishet ekuilibri i vendosur prej Allahut dhe mirësitë e dhëna prej Tij shpërndahen pa respektuar kriteret e drejtësisë, ngrenë kokë shqetësimet dhe, ndërsa një pakicë noton në mirëqenie, shumica dërrmuese kalon një jetë të zhytur në mjerim. Islami i sheh njerëzit si të barabartë. Një i varfër e ka të vështirë të qëndrojë në të njëjtin rresht me një të pasur, që nuk i ndihmon nevojtarët dhe përjeton vështirësitë që kalojnë. Prandaj zekati është rregullatori i kësaj harmonie dhe, siç shprehet Profeti, paqja qoftë mbi të, zekati është ura e Islamit.

Me anë të urës së zekatit diferencimi në jetën shoqërore do të pakësohet. Lëmosha në përgjithësi dhe zekati në veçanti bëjnë të mundur që i varfri të mos e shohë me paragjykim dhe xhelozi të pasurin, ndërsa ky i fundit ta shohë nevojtarin me syrin e mëshirës dhe të dhembshurisë. Kjo arrihet vetëm atëherë kur dhënia të kthehet në moral te pjesëtarët e shoqërisë dhe kjo është pikërisht ajo që Islami kërkon. Lëmosha dhe zekati risjellin ekuilibrin e kërkuar në shoqëri dhe vendosin drejtësinë mes qenieve njerëzore, prandaj shpresa dhe dëshira më e madhe është që ta fitojmë e praktikojmë sa më shpejt këtë moral.

Nga: Elton Karaj

Burimi: Revista “Drita Islame”

Pin It