Rikonstruktohet Voskopoja, së shpejti në një qytezë turistike

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Kryetari i Bashkisë së Korës, Sotiraq Filo ndoqën nga afër punimet në Voskopojë, një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare, me synimin ta kthejë këtë qytezë në një pikë turistike të vizitueshme për 12 muaj.

Projekti i nisur përfshin sistemin e infrastrukturës, ndriçimit, etj dhe njëherësh do të restaurojë edhe 5 kishat e Voskopojës, ku nga 22 kishat e dikurshme kanë mbetur në këmbë në Voskopojë ende pesë kisha dhe një manastir jo shumë larg fshatit të sotëm. Kishat, të gjitha të tipit bazilikë, janë dëmtuar shumë.

Kisha e Shën-Kollit ndodhet në qendër të Voskopojës dhe është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e tipit bazilikal post-bizantin, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Kjo kishë i ka të gjitha: naosi, narteksti, arkada dhe kambaneria.

Është ndërtuar nga qershori i vitit 1721 deri në shtator të vitit 1722, ndërsa kambaneria mendohet të jetë ndërtuar më vonë. Rindërtimi i fundit të saj është bërë rreth vitit 1936.

370 milion lek, është vlera e investimit nga Qeveria Shqiptare përmes FZHR-së në Voskopojë.

Ky projekt përfshin rikonstruksionin e plotë të rrugëve, qendrës, sistemit të ndriçimit dhe restaurimin e plotë të 4 kishave Monument Kulture. /ATA

Pin It