Romani “Kukulla” i Kadaresë promovohet në Rumani

 

Më 10 maj në qytetin e Iasi në Rumani do të promohohet romani “Kukulla” i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, i përkthyer nga Marius Dobrescu.

Pas suksesit të letërsisë shqipe në Sibiu do të vazhdojë promovimi i autorëve shqiptarë edhe në Iasi. Me rastin e këtij promovimi do të mbahet një mbrëmje poetike me vargjet e poetëve Frederik Rreshpja, Ilirian Zhupa, Visar Zhiti, Dritëro Agolli, Skënder Rusi, Rita Petro, Bardhyl Londo, Ermir Nika, Luljeta Lleshanaku, etj.

Veprimtaria organizohet nga Shoqata Lidhja e Shqiptareve të Rumanisë dhe Shtëpia Botuese “Humanitas”, më e rëndësishmja në Rumani. Në promovimin e romanit të Kadaresë do të flasin vetë përkthyesit Marius Dobrescu, Luan Topçiu dhe Marius Chelaru, deklaron studiuesi shqiptar Luan Topçiu.

Lajmërimi në rumanisht për recitalin

“Kukulla” u botua fillimisht si kapitull brenda librit “Mëngjeset në Kafe Rostand- motive të Parisit” dhe më vonë si roman më vete. Personazhi nuk është thjesht imazhi femëror apo portreti i nënës të cilën shkrimtari e përshkruan sipas imazhit të nënës së tij, por tashmë një simbol letrar, ku për disa kritikë mund të jetë edhe vetë simboli i Shqipërisë, por edhe ky në një funksion tërësisht mëmësor.

“Kukulla” e Kadaresë, Nëna, mbështillet me dritën e misterit. Qenia e mbushur me kujtesën e çasteve të përjetuara që në foshnjërinë e njeriut deri në rritjen dhe plakjen e tij përgjithmonë kthehen tek ajo, duke mbetur aty në të kuptuarin e asaj, në një marrëdhënie të pafundme zhvillimesh.

Nëna, në romanin ‘Kukulla’ të Ismail Kadaresë është personazhi më mbresëlënës në tërësinë e imazheve femërore në gjithë veprën e tij. “Ishte sa e qartë, aq edhe e errët, njëherësh fëminore dhe pakohë, që të gjente gjithsesi të papërgatitur. Shkurt ishte stili i saj, kuptim e moskuptim bashkë, të bëra njësh, në jetë enë mos jetë.”, shkruan Kadare duke portretizuar personazhin.   Duke përshkruar kështu profilin e nënës së vet shkrimtari na drejton drejt kuptimit të sistemit të shenjave dhe kodeve që na drejtojnë përtej lidhjes organike nënë e bir, tek kuptimi i lidhjes së përhershme me origjinën, ku vendoset qenia njerëzore, ku ka lindur me gjuhën, mjedisin, kodet.

Romani i Kadaresë në rumanisht

“Kukulla e Ismail Kadaresë, është Shqipëria e tij, dashuria pa kushte, Shqipëria e përjetshme, e cila është baza dhe boshti, shtrati dhe kuptimi i krejt veprës letrare të shkrimtarit. Kjo Shqipëri, tek Kukulla e Ismail Kadaresë, në romanin e tij të fundit, mbetet e jashtëzakonshme në letërsinë e tij.”, shkruan poetja Entela Safeti Kasi.

Në përgjithësi kritikët mendojnë se Shqipëria në veprën letrare të Kadaresë mbartet prej shkrimtarit me përjetësimin e saj, që për të është lëndë e pasosur, shpirtërore, psikike dhe fizike.

Marius Dobresku përkthyesi i 30 romaneve të  Kadaresë në Rumani.

Përkthyesi i shquar rumun është bërë tashmë një emër i njohur për letërsinë shqipe, pasi zëri ai u ka dhënë jetë veprave shqipe në Rumani, kryesisht veprave të Ismail Kadaresë. Ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm për njohjen e kulturës shqipe në Rumani, me botimet e panumërta për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, në një hark kohor për afro katër dekada. Falë tij lexohen në Rumani mbi 30 romane të Ismail Kadaresë.

Romani i parë i Ismail Kadaresë në gjuhën rumune ka qenë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1973, me përkthim të Foqion Miçaços, përfaqësues i një familjeje të vjetër shqiptare në Bukuresht.

Ndërsa Dobresku e ka filluar përkthimin e veprave të Kadaresë me romanin “Kronikë në gur”, që u botua 10 vjet më vonë, në vitin 1983. Pastaj ka vijuar me “Kështjellën”, “Nëntorin e një kryeqyteti” e kështu me radhë. Deri më sot janë përkthyer rreth 40 vepra të Ismail Kadaresë në gjuhën rumune. Para dy vjetësh u botua në Rumani “Kamarja e turpit”, ndërsa një vit më parë doli një vëllim me 5 tregime e novela të Kadaresë, mes tyre “Qorfermani”, “Kisha e Shën Sofisë”, “Breznitë e Hankonatëve” etj.

Dobresku e çmon Kadarenë dhe letërsinë e tij. Ai ka thënë për të se “Kadare është shkrimtari më i mirë, më i madh. Është shkrimtari i  Ballkanit, sepse përfaqëson ballkanasit dhe, në fund të fundit, na përfaqëson edhe ne rumunëve, sepse kemi pasur histori të përbashkët. Përsa i përket çmimit “Nobel” Ismail Kadare duhet ta kishte marrë me kohë. Ballkani nuk e ka një shkrimtar të kalibrit të Kadaresë. P.sh sot ne në Rumani ne sot kemi një shkrimtar i përkthyer në shumë gjuhë, por nuk është në nivelin e Kadaresë. Nuk e them këtë sepse jam partizan i Kadaresë, po ky është një realitet që vjen edhe përtej Oqeanit.”

 

Shqiptarja.com

 

Pin It