Rritet me 9% tregu i sigurimeve

Dhjetë muajt e parë të këtij viti rezultuan pozitivë për tregun e sigurimeve në vend.

Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-tetor 2017 kapën vlerën mbi 13 miliardë lekë ose rreth 9% më shumë se në periudhën janar-tetor 2016.

Në të njëjtën periudhë, numri i kontratave të sigurimit të lidhura shkoi mbi 1 milionë me një rritje prej 15.32% krahasuar me periudhën janar-tetor 2016.

Tregu mbetet i orientuar te jo-jeta

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 92,46% të vëllimit të përgjithshëm të primeve duke i lënë përkatësisht sigurimet e jetës me 7,23% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0,31%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 37,88% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë 62,12% të totalit të tregut.

Dëmet e paguara llogariten 4 miliardë lekë

Gjatë periudhës janar-tetor dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4 miliardë lekë ose 15,80% më shumë se në periudhën janar – tetor 2016. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2 miliardë lekë, apo 61,69% të totalit të dëmeve të paguara bruto./ATA/

Pin It