SHBA: betohet Kongresi i ri, kontrollohet nga republikanët

2144969

Kongresi i 115 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i dalë nga zgjedhjet Presidenciale të 8 nëntorit, bëri betimin në Uashington. Republikani Paul Ryan u zgjodh pa vështirësi kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Presidenti i zgjedhur Donald Trump do ta fillojë mandatin e tij me një Kongres të kontrolluar nga republikanët, por nga ana tjetër në Senat ata kanë një shumicë të ngushtë.

Pas betimit të anëtarëve të Kongresit, është radha e presidentit të zgjedhur, Donald Trump që të betohet në Shtëpinë e Bardhë dhe të marrë detyrën në datën 20 janar, duke u bërë kështu zyrtarisht presidenti i 45­-të i SHBA­ve. Në Senat, republikanët kanë paraqitur një projektligj që do t’i paraprijë përpjekjes së tyre për të shfuqizuar reformën e kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama. Ndërkaq, kryetari republikan i Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme tha se seancat e konfirmimit për kandidaturën e Rex Tillerson si Sekretar i Shtetit do të fillojnë javën tjetër dhe pritet të zgjasin dy ditë. Komisioni do të marrë shumë shpejt një deklaratë të hollësishme financiare nga zoti Tillerson, i cili ka punuar për firmën Exxon Mobil prej 43 vjetësh.

Për amerikanët, të cilët me votën e tyre sollën këtë qeverisje republikane në Uashington, suksesi matet me reforma në politikat e imigracionit, me ekonominë dhe shkurtime në programet qeveritare. Edhe pa ardhur Trump në Shtëpinë e Bardhë, Kongresi është mobilizuar për të anuluar ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor.

Pin It