SHBA, Haiti goditet nga uragani, të rrezikuara edhe disa shtete të tjera

methju

Haiti u godit nga uragani Methju, i cilësuar si më i fuqishmi i dekadës së fundit. Uragani me erëra me shpejtësi deri në 230km/h solli shira të dendur dhe përmbytje duke shkaktuar 10 viktima, mijëra të shpërngulur e shkatërime në masë.

Mourad Wahba, përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së për Haitin tha se të paktën 10 mijë njerëz gjenden në vendstrehime të përkohshme dhe se spitalet janë të tejmbushura.

Grupet e shpëtimit po punojnë ende në disa nga zonat më të prekura në skajin jugor të ishullit. Në këtë zonë një urë tepër e rëndësishme është shkatërruar, rrugët janë të pakalueshme dhe komunikimet telefonike janë ndërprerë. Situata e vështirë ka detyruar autoritetet të shtyjnë zgjedhjet presidenciale të planifikuara për në fundjavë. Mes ndërtesave të shkatërruara janë edhe shkolla e kisha, të cilat do të përdoreshin si qendra elektorale në zgjedhje.

Methju është uragani më i fuqishëm në rajon që prej Feliksit, në vitin 2007. Ai pritet të prekë edhe shtetet amerikane të Floridës dhe Karolinës së Jugut, ndërsa stuhia po i afrohet Bahamasit. Nëpër ishuj janë ndërprerë të gjitha lëvizjet ajrore e detare dhe qytetarëve u është bërë thirrje të zhvendosen në zona të larta.

Pin It