Shërbimi i hemodializës tani ofrohet edhe në Berat

hemodializa-shkoder-2

40 pacientëve të qarkut të Beratit, tashmë nuk u duhet të udhëtojnë më drejt Tiranës, Fierit apo jashtë vendit, për të marrë shërbimin e hemodializës. Falë bashkëpunimit të qeverisë me institucionet jopublike, këta pacientë mund ta marrin këtë shërbim jetik për jetën e tyre, pranë vendbanimit, duke lehtësuar vuajtjet e sorollatjet e vajtje-ardhjeve tre herë në javë drejt qendrave të specializuara jashtë Beratit, kursyer kohë e shpenzime të panevojshme, por duke shmangur edhe radhën e pritjes.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pa nga afër kushtet me të cilat ofrohet ky shërbim, teksa theksoi se sot pacientët shërbehen më pranë vendbanimit, humbin më pak kohë, ndërsa Minsitria, nga ana e saj, monitoron gjatë gjithë kohës cilësinë e shërbimit që ofrohet.

“Kjo, sigurisht, është një tjetër shprehje e shfrytëzimit të bashkëpunimit me institucionet jopublike për të patur një qëllim, shërbim sa më të mirë edhe sa më pranë, aty ku qytetarët jetojnë. Praktikisht, ky ishte një investim i iniciuar nga vetë një sipërmarrës privat, por në kushtet e nevojës që në qarkun e Beratit ti shërbenim sa më pranë njerëzve dhe të shtrëngesave financiare për të investuar rishtaz në spitalin e Beratit, u shfrytëzua kjo mundësi, përsa kohe ne kemi një tarifë unike për çdo seancë dialize të miratuar nga qeveria, pavarësisht nëse ofrohet në spital publik apo në spital jopublik. Praktikisht, edhe pse kjo është një institucion jopublik për ne si ministry, është pjesë e rrjetit të kujdesit shëndetësor për qytetarët tanë. Dhe aq më shumë që shkalla e avancuar e sëmundjeve të veshkave që e ka të domosdoshme këtë shërbim tre herë në javë, e ka jetik, edhe vajtja në Tiranë ishte kohë, mundim, edhe nëse ne financonim transportin e pacientit, shpesh herë, kishin nevojë për transport të familjarëve, i cili dhe ai ishte barrë për familjet. Kështu që sot, shërbehen më pranë vendbanimit, humbin më pak kohë, lehtësojnë edhe familjarët, ndërkohë që ne përpiqemi të mbajmë të monitoruar cilësinë e shërbimit që ofrohet edhe në këto qendra”, u shpreh  Beqaj.

Vetë pacientët, gjatë komunikimit me kreun e shëndetësisë, u shprehën të kënaqur që tashmë këtë shërbim e marrin në qytetin e tyre, falas dhe me të njëjtën cilësi. Nga ana e tij, z. Beqaj theksoi se është detyrim i qeverisë që t’ju ofrojë qytetarëve atë shërbim që meritojnë, duke shtuar se me përmirësimin e shërbimit të dializës, me shtrirjen e qendrave sa më pranë vendbanimit, me lehtësimin e hallkave në sistemin e referimit, pacientët sot nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë për të marrë recetën me rimbursim, pasi mund t’i marrin ato në spitalin e Beratit.

“Është detyrimi ynë që t’iu ofrojmë njerëzve atë shërbim që meritojnë, bashkë me përmirësimin e shërbimit të dializës, me shtrirjen e qendrave sa më pranë vendbanimit, me lehtësimin e hallkave edhe buroktratike në sistemin e referimit, ju praktikisht sot s’keni më nevojë të vini në Tiranë për të marrë recetën me rimbursim, i merrni barnat në spital të Beratit. Kemi dhe këtu një kujdes shëndetësor nga vajza dhe djem që janë edhe të përkushtuar po edhe të zotë edhe të aftë”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Pin It