Wilton: Rehabilitim dhe riintegrim me anë të trajnimeve profesionale për gratë e privuara nga liria

1465540745-dsc_0067

Prezenca e OSBE-së dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizuan sot një konferencë për trajtimin e grave të privuara nga liria.

Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, u shpreh në fjalën e tij se “Kushdo gëzon të drejta, edhe personat në konflikt me ligjin. Është përgjegjësia e shtetit të mbrojë këto të drejta. Heqja e lirisë duhet të jetë alternativa e fundit. Ajo duhet përdorur vetëm në rastet kur vepra penale është aq e rëndë sa çdo masë tjetër do të ishte qartësisht e papërshtatshme”.

Wilton tha se, “Prezenca e OSBE-së është përfshirë në mënyrë aktive për mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria, me vëmendje të veçantë për gratë. Ne kemi mbështetur përdorimin e dënimeve alternative, sidomos për të miturit dhe gratë. Kur gratë privohen nga liria, ato humbasin statusin shoqëror, marrëdhëniet e tyre familjare cenohen dhe nuk mund të përmbushin përgjegjësitë e tyre prindërore.

“Prezenca është duke mbështetur rehabilitimin dhe riintegrimin me anë të trajnimeve profesionale për gratë e privuara nga liria, në bashkëpunim me qeverinë kanadeze. Projekti do të ofrojë ndihmesë duke pajisur me kompjuterë dy salla të burgut të grave në Tiranë. Qëllimi është të ndihmojmë përpjekjet e institucionit të burgjeve për të ofruar trajnim profesional, duke mbështetur kështu rehabilitimin dhe riintegrimin. Synimi është të rriten mundësitë e punësimit për këto gra duke u dhënë atyre aftësi në fushën e Teknologjisë së Informacionit”, theksoi Wilton.

“Prezenca do të vazhdojë të mbështesë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve: për ndryshimin e kuadrit ligjor aktual; rritjen e kapaciteteve të stafit të burgjeve; mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për zbatimin e Planit të Veprimit 2016 për uljen e mbipopullimit në burgje dhe paraburgime. Respektimi i të drejtave të njeriut të të dënuarve është tregues i rëndësishëm për demokracinë e një vendi. Me pjesëmarrjen tuaj në aktivitetin e sotëm, ne së bashku mundemi ta bëjmë më të drejtë dhe më të efektshëm sistemin e drejtësisë, duke vënë më shumë theks te rehabilitimi dhe riintegrimi i të dënuarve dhe duke përmirësuar besimin e publikut tek institucionet”, tha Wilton.
Në këtë konferencë merrnin pjesë edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Eridian Salianji, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Miklovan Kopani, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës Ilir Qafa dhe drejtorja e IEVP “Ali Demi” Zoja Jakaj.

Pin It