Shqipëria në Panairin Mesdhetar  të Turizmit 2018, ja risitë

Expocity Albania, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, do të organizojë edicionin e dytë të Panairit Mesdhetar të Turizmit 2018. Ky panair do të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të turizmit rajonal, i cili ka për qëllim inkurajimin e bashkëpunimit dhe promovimit të destinacioneve turistike nëpërmjet tregtisë, konferencave dhe takimeve B2B.

Pjesëmarrësit nga 20 vende si Shqipëria, Greqia, Turqia, Italia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Bosnjë- Hercegovina, Kroacia, Franca, Spanja, Gjermania, Zvicra, Austria etj., do të shfaqin potencialin e tyre turistik në kategori të ndryshme si: Destinacionet, Akomodimi, Agjencitë, Turizmi Detar, Turizmi Malor, Gastronomia etj.

Dyert e Expocity Albania do të jenë të hapura nga data 6-7 prill, duke mirëpritur çdo të interesuar të fushës së turizmit dhe duke vendosur ura lidhëse rajonale e më gjerë. Ky panair është një mundësi e shkëlqyer për bizneset e fushës së turizmit që të rriten përmes zhvillimit të marrëdhënieve personale dhe ndërveprimit me klientët dhe partnerët. Kjo ngjarje për sektorin padyshim do të tërheqë vëmendje, ku do të paraqiten trendet e udhëtimit dhe produktet e reja të fushës. Ky panair, duke u zhvilluar për të dytin vit radhazi, do të shndërrohet në domosdoshmëri për pikëtakimet e aktoreve te rëndësishëm në industrinë e shërbimeve të udhëtimit, që kanë të bëjnë me operatorët turistikë kryesorë dhe rrjetëzimin me përfaqësuesit kryesorë të Ballkanit. Një veçanti e këtij panairi, që e dallon nga të tjerët, është organizimi i forumeve dhe takimeve b2b që i jep një dimension real, mes takimeve të ndryshme dhe diskutimeve për temat më të prekshme. Zhvillimi i qëndrueshëm dhe shtrirja gjithëvjetore e turizmit në Shqipëri; plani i masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik; diversikimi i produktit dhe cilësia e shërbimeve turistike; planet lokale të turizmit dhe roli i bashkive në zhvillimin e turizmit etj., do të jenë disa nga temat që do të diskutohen mes aktorëve kryesorë të tregut në dy ditët e panairit.

Monitor

Pin It