Shqipëria, rruga e shpresës për emigrantët sirianë

Screenshot_2

Që prej ditës së premte fshati grek Konica, shumë pranë kufirit me Shqipërinë është kthyer në kampin më të ri për rreth 160 sirianë të cilët janë larguar nga vendi i tyre për të shpëtuar jetën. Deri tani gjimnazi publik i Konicës është kthyer në strehën e tyre, por destinacioni i tyre nuk është ai vend. Ata duan që të shkojnë drejt vendeve të Evropës për të siguruar jetën dhe një jetesë më të mirë, ndaj sipas tyre ata janë duke pritur hapjen e kufirit nga ana e Shqipërisë që të shkojnë në destinacionin e tyre. Ja çfarë thotë një i ri sirianë në një intervistë për tv Top Chanel.

Mahmudi :
“Unë jam nga Siria, nga Daria. Erdhëm në Konicë për të ikur në Europë. Kemi ardhur këtu se mbase Shqipëria na ndihmon të kalojmë përmes saj, prandaj jemi kaq afër kufirit shqiptar. Aktualisht nuk kemi në plan të lëvizim, por shpresojmë që qeveria shqiptare të na presë e të na ndihmojë të kalojmë kufirin. Shpresojmë që nga Shqipëria të kalojmë në Itali e në fund në Gjermani. Të gjithë kufijtë na janë mbyllur, si në Hungari ashtu edhe në Maqedoni, prandaj jemi këtu në kufirin shqiptar”, thotë Mahmud.
“Unë kam një mesazh për qeverinë shqiptare nga gjithë sirianët që ndodhen këtu në Konicë, të na ndihmojë të kalojmë nëpërmjet Shqipërisë në vendet e tjera për në Gjermani”, apelon refugjati.
Ndërkohë, drejtoresha e qendrës së pritjes shprehet se pavarësisht kushteve dhe përkujdesjes ndaj refugjatëve, askush nuk mund t’i ndalojë ata që të lëvizin.
“Njerëzit që janë këtu në Konicë nuk janë të ndaluar nga policia apo nga askush tjetër që të lëvizin ku të dëshirojnë”, thotë Katerina Mitopolou.
E veç dëshirës së tyre‎ për të udhëtuar drejt vendeve të Europës, kryesisht Gjermanisë, lajmet që qarkullojnë në kamp e bëjnë me reale mundësinë e zhvendosjes së tyre drejt Shqipërisë.
Jashtë kamerave, ata pohojnë se nga drejtuesit grekë të qendrës u është thënë se këtu do të qëndrojnë vetëm 15 ditë e me pas do kenë mundësinë të kalojnë në Shqipëri.

Pin It