Shqipëria vlerësohet për fqinjësinë e mirë. Media europiane: Një hap më pranë BE

“Shqipëria tashmë është plotësisht e përafruar dhe luan një rol pozitiv në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”. Vlerësimi është bërë nga “Eureporter”, platforma multimediale e lajmeve me qendër në Bruksel, e cila në një artikull të saj për vendin tonë, thekson se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme në rrugën drejt integrimit në BE.

“Eureporter” citon Komisionin Evropian, ku thotë se një faktor që duhet vlerësuar në politikën e Shqipërisë, janë përpjekjet në lidhje me bashkëpunimin rajonal, duke nënvizuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e partneritetit strategjik të Shqipërisë me BE-në.

Rëndësi të veçantë, artikulli i kushton edhe reformës në drejtësi, për të cilën thotë se qeveria shqiptare është treguar e vendosur në plotësimin e këtij kushti, që pritet t’i hapë negociatat për anëtarësim.

“Shqipëria po bën përparim të mirë në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe një kontribut kyç për këtë qëllim në muajt e fundit, ka qenë vendosmëria e autoriteteve shqiptare, për të trajtuar problemin e aplikimeve të pajustikuara të azilit në shtetet anëtare të BE. Qeveria po vazhdon gjithashtu me reformën gjithëpërfshirëse të gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat janë synime kyçe drejt realizimit të aspiratave të kryeministrit karizmatik, për të hapur negociatat formale të anëtarësimit në BE.” shkruhet në koment

Në artikull citohet eurdeputeti Eduard Kukan, që pohon se ka pasur përparim të mirë dhe zhvillime pozitive në axhendën europiane të Shqipërisë./TIRANAPOST/

 

Pin It