Takimi Kombëtar i Orkestrave të Harqeve, hap edicionin e dytë në Teatrin ”Skampa”

Takimi Kombëtar i Orkestrave të Harqeve, muzika e dhomës dhe krijimtaria e saj, hap siparin e saj në edicionin e dytë në datë 18 tetor 2017 në skenën e Teatrit “Skampa” të qytetit të Elbasanit.

Ky projekt i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Bashkia Elbasan, Këshilli Qarkut, në bashkëpunim me Qendrën e Artit Elbasan, për tre ditë, pra më 18,19 dhe 20 tetor, synon të rikthejë vëmendjen ndaj formacioneve të orkestrave të harqeve, të cilat gjatë 27 viteve të fundit kanë mbetur jashtë fokusit të institucioneve kulturore artistike qendrore dhe lokale.

Objektivi kryesor i aktivitetit kulturor është të angazhojë formacionet ekzistuese orkestrale të harqeve nga disa rrethe të vendit, të prezantojnë nëpërmjet një formati konkurues vepra ekzistuese dhe krijimtari të re muzikore, me cilësi të përmirësuar interpretative, dirizhuese dhe krijuese.

Si rezultat, takimi kombëtar, që do të organizohet në Elbasan, do ti shërbejë promovimit të artistëve, rivitalizimit të një zhanri të munguar të skenës shqiptare, dhe në afatgjatë edukimit qytetar dhe profesional të brezave të rinj drejt muzikës profesionale dhe elitare.

Ky aktivitet do të rivitalizojë orkestrat e harqeve të muzikës së dhomës në Shqipëri, pas një periudhë 27 vjeçare mungese në skenat e qyteteve dhe festivaleve shqiptare, duke vlerësuar interesin e kompozitorëve, instrumentistëve e dirigjentëve në këtë zhanër profesional të artit muzikor. Gjithashtu ky aktivitet do të rivendose bashkëpunimin midis shkollave artistike të mesme dhe institucioneve kulturore lokale, do të risjellë në skenë krijimtarinë ekzistuese të autorëve shqiptare duke promovuar vlerat dhe trashëgiminë kulturore të lënë në harresë të një zhanri profesional siç është muzika e dhomës si dhe do të nxisë krijuesit e rinj dhe të promovojë artin e tyre në një format konkurues të veprave klasike.

Këtë vit, në edicionin e dytë, do të kemi më shumë formacione orkestrale, si orkestra harqesh, trio, kuartete e kuintete nga qytetet e mëdha të vendit si dhe disa formacione të ndryshme orkestrale nga Shkollat e Mesme Artistike. /ATA/

Pin It