“Shtëpia me gjethe”, vendi i misterit që dëshmon historinë

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, me anë të rrjetit social Twitter, ftoi shqiptarët që fundjavat me shi t’i kalojnë duke vizituar “Shtëpinë e Gjetheve” duke e cilësuar këtë të fundit  si një destinacion ideal për fundjavë.

“Do një ide? #Eja Ne Muze #Kujto Për Te Mos Harruar #Rruga E Kujtesës”. Po ashtu, Kumbaro e ka shoqëruar postimin e saj me një video që pasqyron ambiente e muzeut “Shtëpia me gjethe”.

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” u hap në maj të viti 2017,  godina e mistershme që prej 45 viteve mbuluar nga gjethet i’u fsheh syrit të publikut dhe ku u përgjuan, kontrolluan dhe spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist. “Shtëpia me Gjethe”, e kthyer në Muze të memories me mbështetjen e Kryeministrit dhe projekt të Ministrisë së Kulturës, është dëshmia më therëse e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat e shpirtrat e njerëzve.

Muzeu është projektuar sipas standardeve europiane nga një grup në përbërje të të cilit edhe ekspertë të huaj dhe me konsulencë ndërkombëtarë nga institute dhe muze me tematike të ngjashme. Ai është i ndarë në 9 sektorë që trajtojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së kryer në këtë shtëpi që prej ndërtimit të saj në fillim të viteve 30’-të dhe deri në vitin 1991.

“Shtëpia me Gjethe” vjen pas muzeut Bunk’art 1 , në përiferi të Tiranës dhe atij Bunk’art 2 në qendër të kryeqytetit,një përpjekje e qeverisë Rama për të kuruar të shkuarën nëpërmjet ndriçimit të saj si një mundësi që regjime të tilla mizore si diktatura të mos kthehen më. Muzeu i kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi. /ATA/

Pin It