Një rrjet blogerësh shqiptarë për promovimin e turizmit

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, shpalli ngritjen e rrjetit të blogerave shqiptarë për promovimin e turizmit në Shqipëri.

Nisma më e fundit që synon të krijojë një fushatë të gjerë promovuese në rrjetet sociale përmes figurave të spikatura të vendit tonë në botë, u lançua nga kreu i turizmit në eventin “Oda Shqiptare”, një mbrëmje që kishte bërë bashkë 200 figura të spikatura shqiptare në vend dhe në botë, në fushën e artit, kulturës, biznesit dhe politikës shqiptare e në rajon.

Ftesës së ministrit Klosi i ishin përgjigjur edhe ministrat e turizmit në rajonin tonë.

“Jemi këtu për një qëllim shumë të thjeshtë; të bëhemi bashkë. Vendet me tradita turistike, e kanë një nga armët më të forta të promovimit të vlerave kombëtare, përmes emrave të njohur të vendeve të tyre. Kjo është ajo që duam të bëjmë të gjithë bashkë. Themelimin e rrjetit shqiptar të turizmit, nga Oda e traditave shqip”, tha ministri Klosi në fjalën e tij gjatë eventit të mbajtur në Pallatin e Brigadave.

Kreu i turizmit shqiptar tha se në një botë gjithmonë e më shumë në lëvizje,në një kohë ku njerëzit kërkojnë eksperienca dhe duan të njohin vende dhe kultura, natyrë dhe përvojë të vecantë, është mundësia e artë, për të tërhequr vemendjen drejt Shqipërisë për të qenë vendi i kërkuar i vizitorëve dhe turistëve të huaj.

Duke bërë një panoramë historike të imazhit të Shqipërisë në shekuj, Ministri Klosi u kërkoi personaliteteve të pranishëm që të shpërndajnë përmes teknologjisë, jehonën e vlerave natyrore historike e kulturore të vendit tonë në mbarë botën.

“Një klikim i juaj, në profilet tuaja, i një fotoje, videoje apo share, nga bregdeti, Alpet, Tirana, Berati, Gjirokastra, natyra, gatimi apo histori Shqipërie, ka efektin e më shumë se dhjetra panaireve, takimeve zyrtare apo parave të shpenzuara për promovim. Kjo është një e mirë që ju mund t’ja bëni Shqipërisë, turizmit shqiptar. Ngritja e rrjetit të blogerave shqiptarë, nismën që lançojmë sot, që dikush mund ta quajë patriotike apo pragmatike, është vetëm në të mirë të vendit tuaj, vendit tonë të përbashkët. “- apeloi ministri Klosi duke ftuar të pranishmit, që pa humbur kohë edhe gjatë mbrëmjes të shpëndanin videon promovuese për Shqipërinë.

“Nisma për të përbashkuar në misionin për promovimin e turizmit, të blogerave është më e thjeshtë, nëse kemi vullnetin, dëshirën dhe dashurinë për vendin. Madje mund të nisim që tani, me shpërndarjen e një videoje të shkurtër nga Shqipëria nëpër profilet tuaja, të Shqipërisë së Alpeve, Adriatikut, Jonit, kështjellave, veshjeve karakteristike, jetës së natës, e vendeve të paeksploruara, të vendit të një populli mikpritës, që një reviste prestigjoze europiane, na përshkuante pak kohë më parë, si “njerëz të etur për të ndarë dashurinë e vendit të tyre dhe gjithmonë të gatshëm për të ardhur në ndihmë”, theksoi ai.

Ministri Klosi konfirmoi edhe njëherë se qeveria shqiptare ka ndërrmarrë iniciativa për ta bërë Shqipërinë konkurruese duke ecur në drejtim të lehtësirave për investime strategjike, për ngritje të hoteleve dhe resorteve me 4 dhe 5 yje, si dhe miratimin e 100 fshatrave të parë turistikë, për të investuar dhe shndërruar në destinacione të mirëfillta turistike në kuadër të “Rilindjes rurale”.

Duke vënë theksin tek problemet që ndikojnë në turizmin shqiptar, ministri Klosi tha se pavarësisht kësaj Shqipëria është vendi që shumica e të huajve rikthehen me dëshirë, për shkak të natyrës, historisë, kulinarisë, traditave e zakoneve, që e bëjnë unikale dhe kjo duhet të përdoret në të mirën e vendit tonë.

“Edhe prania e homologëve nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, është konfirmim i asaj që kemi parë të nevojshme se duhet ta realizojmë sa më shpejt. T’i ofrojmë një turisti nga Gjermania, Franca, Azia, Amerika, një udhëtim në Ballkan, ku të ketë mundësinë të vizitojë nga Kroacia, Serbila, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria e Maqedonia, apo edhe më shumë sesa kaq nëse është e mundur. Kjo do të jetë një punë intesive e këtij viti, për të lidhur ofertat turistike si rajon. Por, siç e thashë më lartë, shteteve ju duhen pak më shumë kohë për ta realizuar”, nënvizoi Klosi.

Sipas tij, nisma për të përbashkuar në misionin për promovimin e turizmit, të blogerave është më e thjeshtë, nëse kemi vullnetin, dëshirën dhe dashurinë për vendin.

Madje , tha ai, mund të nisim që tani, me shpërndarjen e një videoje të shkurtër nga Shqipëria nëpër profilet tuaja, të Shqipërisë së Alpeve, Adriatikut, Jonit, kalave e kështjellave, veshjeve karakteristike, jetës së natës, e vendeve të paeksploruara, të vendit të një populli mikpritës, që një reviste prestigjoze europiane, na përshkuante

pak kohë më parë, si “njerëz të etur për të ndarë dashurinë e vendit të tyre dhe gjithmonë të gatshëm për të ardhur në ndihmë”.

“Le ta tregojmë këtë, që ndajmë dashurinë për vendin dhe që jemi njerëz që gjithmonë vijmë në ndihmë, duke i shërbyer Shqipërinë përmes profileve tuaja virtuale”, tha Klosi.

Gjatë mbrëmjes u transmetuan materiale promovuese për Shqipërinë ndërsa eventi u mbyll me dhënien e çmimeve të mirënjohjes për kontributin e tyre ndaj vendit, sopranos së mirënjohur Inva Mula, instrumentistit virtuoz Olen Cezari si dhe Mario Dedivanovic- artistit të make –up, mjaft të njohur në Amerikë./ATA/

 

Pin It