BB financon 71 mln euro për zhvillimin e turizmit në Shqipëri

jala-1

Projekti për Menaxhimin e Integruar Urban dhe Turizmin në Shqipëri do të përfitojë nga një financim i Bankës Botërore me vlerë 71 milionë dollarë.

Përmes këtij investimi synohet të hapen vende të reja pune dhe të nxitet zhvillimi i ekonomisë lokale në zona të caktuara në jugun e Shqipërisë, ku ekziston potenciali i zhvillimit në sektorin e turizmit. Projekti synon të përmirësojë infrastrukturën urbane, të shtojë vlerën e aseteve turistike, si dhe të forcojë kapacitetet e institucioneve për të mbështetur turizmin në nivel lokal.

“Ky projekt do të ruajë burimet e mrekullueshme natyrore të Shqipërisë dhe pasurinë e saj të çmuar kulturore duke e bërë turizmin më konkurrues,” tha Tahsën Sayed, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. “Ky projekt do të krijojë vende të reja pune për shqiptarët dhe do të nxisë rritjen ekonomike lokale duke mbështetur rigjenerimin urban dhe turizmin e qendrueshëm”.

Bashkitë përfituese nga ky projekt

Projekti do të përfitojë nga eksperienca dhe ekspertiza globale e Bankës për të mbështetur katër qendra turistike në jug të Shqipërisë. Këto zona përfshijnë dy qendra të trashëgimisë kulturore të mbrojtura nga UNESCO – Gjirokastrën, Beratin, Sarandën (si portë hyrëse e turizmit për rajonin jugor, Butrintin, qendrën e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO) dhe Përmetin, i cili lidh rrjetin e turizmit të Shqipërisë së jugut me zemrën e Ballkanit.

“Investimet e projektit do t’i bëjnë më tërheqëse këto katër bashki për vizitorët dhe investitorët privatë, si dhe do të rrisin mundësitë e njerëzve për të gjeneruar të ardhura. Përfituesit kryesorë janë banorët e këtyre bashkive dhe turistët, të cilët do të përfitojnë në mënyrë direkte nga shërbimet e përmirësuara të infrastrukturës urbane dhe ato turistike,” thanë Paula Restrepo dhe Shaun Mann, Drejtues të projektit të Bankës Botërore.

 

Pin It