Banka Botërore: Rritet ndjeshëm ryshfeti i administratës shtetërore ndaj bizneseve

Sipas një studimi të fundit të publikuar nga Banka Botërore, në 6 vitet e fundit në vendin tonë është rritur ndjeshëm ryshfeti ndaj bizneseve nga administrata shtetërore.

Ky studim, në të cilin analizohen disa aspekte të ndryshme të biznesit si korrupsioni, taksat, krimi dhe ambienti rregullator, zhvillohet çdo 6 vjet në Evropën Lindorë dhe Azinë Qendrore.

Sipas këtij studimi të zhvilluar nga Banka Botërore del në pah se për vitin 2019 mbi 36 për qind të bizneseve shqiptare u është kërkuar të paktën një herë ryshfet nga zyrtarët e shtetit.

E krahasuar me vendet e rajonit kjo shifër është 3 herë më e madhe se mesatarja dhe 2 herë më e madhe se sa mesatarja botërore.

Ryshfeti ka ardhur në rritje që nga viti 2013, kohë në të cilën vetëm 20.6 % e bizneseve e pohonin si fenomen, ndërsa në vitin aktual kjo shifër arriti në 36.1 % sipas BB.

 

Pin It